E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Firmoset marrëveshja, punësim dhe formim profesional për riintegrimin e të dënuarve

TIRANË, 28 tetor/ ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me bashkinë e Durrësit, që synon riintegrimin e të dënuarve në komunitet.

Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sakon.

“Përmes këtij partneriteti synojmë t’i krijojmë mundësi të dënuarve për t’u riintegruar me sukses në shoqëri, duke i ofruar mbështetje konkrete në fusha si punësimi dhe formimi profesional”, shkruan Qose.

Qose nënvizon më tej se ky është një angazhim i përbashkët për një të ardhme më të sigurt, ku çdo individ ka mundësinë të rikthehet dhe të japë kontributin e tij në komunitet.

“Falënderoj Bashkia Durrës për mbështetjen dhe përkushtimin në këtë nismë të rëndësishme”, shkruan Qose.

Në krahun tjetër, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako u shpreh se kjo është një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

“Përmes këtij partneriteti synojmë t’u krijojmë mundësi të dënuarve për t’u riintegruar me sukses në shoqëri, duke u ofruar mbështetje konkrete në fusha si punësimi dhe formimi profesional. Ky është një angazhim i përbashkët për një të ardhme më të sigurt, ku çdo individ ka mundësinë të rikthehet dhe të japë kontributin e tij në komunitet.”, përfundon ajo.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›