Ish-deputeti Artur Roshi paraqitet në SPAK: Nuk besoj se jam në hetim

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Ish-deputeti dhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi u paraqit ditën e sotme në SPAK, për të dëshmuar.
Në një deklaratë për mediet pas daljes nga SPAK, Roshi tha se nuk beson se është person nën hetim, ndërsa foli për një ndërtim pa leje në Sarandë.
“Nuk është se kam ndonjë interes për t’u shprehur para medieve, por meqë ju këmbëngulni, unë them se ishte një gjë rutinë që kishte të bënte me një problem të hershëm, për një pretendim të jashtëligjshëm, ndaj meje në qytetin e Sarandës. Në lidhje me disa blloqe betoni që ishin hedhur në pronën time që kishin të bënim me trotuarin e rrugës, e cili u ndërtua me një leje ndërtimi sipas lejes së Bashkisë së Sarandës dhe me një tog rëre, i cili edhe ai, sipas deklaratës së punimeve, ishte po me lejen e bashkisë së Sarandës. Thjesht dhashë përgjigje për këto. Nuk besoj që jam nën hetim”, deklaroi Roshi.
Roshi tha se i njëjti person ka bërë kallëzim për shpifje dhe fyerje.
“Nuk ka kate, zero. Është imagjinatë e personit, i cili më ka denoncuar mua se kisha ndërmend të bëja ndërtim, se ishte një tog rëre atje, që s’e kam hedhur as unë”, tha ish-deputeti.
/r.e/a.f/