E Martë, 3 Nëntor 2026

Fitër Bajrami, Berisha: Orari zyrtar, jo pengesë për besimtarët që falen të premten

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, duke premtuar mbështetje të shtuar për komunitetet fetare në Shqipëri.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, Berisha u zotua se një nga vendimet e para pas 11 majit do të jetë dyfishimi i fondeve për komunitetet fetare. Ai theksoi se një angazhim i rëndësishëm do të jetë edhe rikthimi ose kompensimi i pronave të këtyre komuniteteve, të cilat i cilësoi si “më të plaçkiturat në Shqipëri”.

“Erdha për të uruar Fiter Bajramin, kryetarit të Komunitetit Mysliman, hirësisë së tij Bujar Spahiu, bashkëpunëtorëve të tij dhe me këtë rast të gjithë besimtarëve që kanë agjëruar dhe gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të nderimit të përkushtimi, sakrificës së njeriut ndaj të madhit Zot, vlerave hyjnore më të mira”, tha Berisha gjatë një prononcimi për mediet.

“E shfrytëzova rastin për të zotuar para kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe të gjithë shqiptarëve se, pas 11 majit nga vendimet e para do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare, fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht. Sikundër një përpjekje madhore do të bëhet për rikthimin e pronave të tyre, ose kompensimin, pasi pronat e komuniteteve fetare, janë pronat më të plaçkitura në Shqipëri”, shtoi Berisha.

Një tjetër masë e paralajmëruar nga kreu i PD-së ishte përcaktimi me ligj i orës së faljes së së Premtes si orar pushimi, duke garantuar të drejtën e besimtarëve myslimanë për ta kryer këtë ritual pa pengesa nga orari zyrtar i punës.

“Së treti unë garantoj, dhe e garantova dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman dhe garantoj besimtarët myslimanë se, falja ditën e premte do të përcaktohet në ligj dhe në orar.
Dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me faljen në xhami do të ketë kohën e dhënë për këtë destinacion. Pra nuk do mund të bëhet më orari zyrtar pengesë që njerëzit të falin të Premten, që për myslimanët është dita e faljes. Kjo nuk është lehtësi, por detyrim dhe do të vendoset menjëherë pas 11 majit”, vijoi ish-kryeministri.

“Nuk mund të mos theksoj se, trashëgimia jonë më e shkëlqyer është toleranca fetare dhe unë shpreh admirimin tim më të thellë për udhëheqësit e Komunitetit Mysliman dhe udhëheqësit në tërësi të komuniteteve fetare dhe të gjithë klerikët shqiptarë për punën e tyre, urtësinë dhe mençurinë e tyre në konsolidimin, zhvillimin më tej të kësaj trashëgimie të shkëlqyer”, tha Berisha më tej.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›