Fitore historike në Oslo, Shqipëria gjunjëzon Norvegjinë – ëndërron “Brazil 2014-ën”
Vendos goli i Hamdi Salihit në minutën e 67-të. Kryeministri Berisha uron kombëtaren: “Fitore! Salihi shënoi Fitoren. Berisha e garantoi atë”
Shqipëria fitoi 1-0 ndaj Norvegjisë në Oslo për eliminatoret e kampionatit botëror të futbollit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e dytë nga Hamdi Salihi.
Skuadra e trajnerit Xhani De Biazi arriti ta përballojë shumë mirë ekipin vendas në çdo aspekt dhe mund të kishte shënuar më shumë se një gol. Fundi rezervoi plot surpriza, gjyqtari holandez e teproi me atë karton të kuq ndaj Andi Lilës në minutën e ’89-të të takimit, ndërsa dy minuta më pas (91), gardiani i portës, Etrit Berisha bëri një pritje të madhe, duke neutralizuar gjuajtjen e Enriksen vetëm pak metra larg portës. Këtu marrin fund dhe shpresat e norvegjezëve për të dalë të paktën me një pikë nga fusha e tyre... Festa i takon ekipit shqiptar dhe stadiumi shpërthen menjëherë në ovacione nga 3000 tifozët që ndodheshin aty.
Ky sukses bëri që Shqipëria të ngjitej në kuotën e 9 pikëve në renditjen e grupit E, duke qenë në vendin e dytë, në pozita të barabarta me Islandën dhe duke lënë prapa Norvegjinë që ka 7 pikë.
Urimi i kryeministrit Berisha në Facebook
“Fitore! Salihi shënoi Fitoren. Berisha e garantoi atë”
Të dashur miq! Në Oslo, lojë dhe fitore e merituar dhe dinjitoze e kombëtares sonë. Salihi shënoi golin e shkëlqyer të fitores së ekipit tonë dhe ogurin e fitores së 23 qershorit. Berisha tigër në portë, garantoi fitoren historike të ekipit tonë më 22 mars, ditën e bardhe të demokracisë. Urime Salihit, Berishës, të gjithë skuadrës, kapitenit, trajnerit të saj për këtë fitore dinjitoze dhe të merituar që na bëri krenar dhe zbukuroi kaq shumë ditën tonë të parë të demokracisë. Gëzuar! Sb”- shkruan kryeministri Berisha në Facebook.
...