Rama po i zhvesh aleatët lakuriq

Edi Rama u ka premtuar aleatëve diçka që s’e posedon, siç është shpërndarja e pushtetit, ndërkohë që ka refuzuar kategorikisht shpërndarjen e përfaqësimit të koalicionit në lista të përbashkëta. Një ditë më vonë, aleatët e Ramës kanë kuptuar se janë zhveshur lakuriq nga një partner koalicioni që i ka aleatët veç për t’i keqpërdorur e jo për të bashkëndarë me ta sfidën paraelektorale
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u premtoi krerëve të partive aleate se kur të jetë kryeministër të gjithë do të hanë me “lugë floriri”, poste shefash, drejtorësh, ministrash, etj. Formula e ndarjes së pushtetit sipas taksës progresive të marrjes së votave që konvertohen pas zgjedhjeve në poste të larta shtetërore është realiteti i “lugës bosh”.
Edi Rama u serviri partive aleate një projekt-marrëveshje të hartuar me hile nga ekspertët e PS, ku premtohej se nëse një forcë politike do të marrë 10 mijë vota në nivel kombëtar, atëherë ajo automatikisht do të ketë një përfaqësim në qeverisje.
Kjo formulë e Ramës është kundërshtuar nga Spartak Ngjela, i cili theksoi se eksperienca e gjatë e tij me zgjedhjet, “Nëse një forcë politike fiton 40 mijë vota në nivel kombëtar por nuk arrin të marrë një mandat deputeti, atëherë i bie që ky të mos jetë ministër nesër…
Po nëse një forcë politike merr një mandat deputeti, por me një kuotë më të ulët nga çfarë është përcaktuar në draft, ç’ndodh?”. Rama i ka rënë shkurt, ma sill me shkrim një propozim tjetër.
Në fakt, refuzimi i Edi Ramës për të pranuar krerët e partive aleate në listat e sigurta të kandidatëve për deputet të PS në 12 qarqe ka sinjalizuar edhe një herë modelin e “limonit të shtrydhur”. Kjo gjë u pa fare mirë në zbardhjen e diskutimeve të tjera në tryezë ku kryetarët e partive aleate i kanë kërkuar Edi Ramës jo mbrojtjen e votës, por mos prekjen e votës nga komisionerët socialistë, që sipas tyre, kanë abuzuar haptazi në zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu ndryshimi i qëndrimeve të Paskal Milos, ku një ditë thotë se projekt-marrëveshje është e studiuar mirë, dhe ditën tjetër kërkon që Rama t’ju japë propozime konkrete. Milo nuk dëshiron të rrezikojë përsëri. Ndaj kërkon nga Rama integrimin e PDS-së në ato që i quan strukturat e mbrojtjes së votës.
Në memorie është ende e freskët akuza e vitit 2009 që Partia Demokracia Sociale e Milos i bëri Partisë Socialiste, për tjetërsim të rezultatit zgjedhor. Rreziku i manipulimit të votës brenda koalicionit të majtë është shqetësimi kryesor i Paskal Milos. Ndaj dhe kërkesa kryesore që ka për aleatin Edi Rama nuk ka të bëjë me postet qeveritare. Për kreun e PDS Milo, Edi Rama u ka premtuar atyre diçka që s’e posedon, siç është shpërndarja e pushtetit, ndërkohë që ka refuzuar kategorikisht shpërndarjen e përfaqësimit të koalicionit në lista të përbashkëta. Një ditë më vonë, aleatët e Ramës e kanë parë se janë zhveshur lakuriq nga një partner koalicioni që i ka aleatët veç për t’i keqpërdorur e jo për të bashkëndarë me ta sfidën paraelektorale.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama i keqpërdor aleatët sa herë ka nevojë për t’u dukur i pranueshëm për të gjithë sensibilitetet politike e intelektuale në vend. Edi Rama është i pabesë në aleanca politike. Ai nuk i qëndron asnjë marrëveshjeje politike, as ndonjë pakti etik, por vepron me parimin e nënshtrimit pa dinjitet. Kjo sjellje primitive e Ramës ka bërë të mundur që aleancat përtej PS të jenë shumë më etike dhe efektive.
Reagimi i Preç Zogajt - “Rama me prezantimin e Celibashit fyeu opozitën, ai nuk ka kontribute”/Platforma që Rama u prezantoi aleatëve të tij në tryezën e së mërkurës është në kundërshtim me parimet që Partia Socialiste ka mbështetur publikisht gjatë qëndrimit në opozitë. Dhe për këtë, Preç Zogaj, koordinatori i Opozitës së Bashkuar, nuk ka asnjë dyshim. Zogaj nuk pajtohet me ofertën për të ndarë poste sipas votave. Dhe kjo është arsyeja kryesore se përse ai mungoi në tryezën e opozitës. Sipas tij, Edi Rama po frymëzon militantët me një punë në shtet duke hequr të punësuarit e tanishëm. Preç Zogaj, i cili e quajti të pamoralshme këtë propozim të kryetarit të Partisë Socialiste. “Motivimi me një vend pune në shtet, nuk është rroba ime. Unë kam nisur një sqarim me kryetarin e opozitës”, ka deklaruar ish-zëdhënësi i koalicionit opozitar, Preç Zogaj. Më pas Preç Zogaj, konfirmoi edhe një herë tjetër se atij i kishte vrarë veshin thënia e Ilirian Celibashit gjatë prezantimit se, “kishte dy vjet që e lusnin”. Zogaj shprehet se, “këtu ka katër vjet që njerëzit bëjnë opozitë, deri në përballje të rrezikshme, dhe nuk dimë të kenë pasur lutje. Mund ta kishte kursyer këtë fjali”. Publicisti Zogaj vuri në dukje se disa deputetë i kanë fëmijët e punësuar në shtet dhe kjo s’ka gjë të keqe, por shumë opozitarë të tjerë kanë bërë opozitë në kushte të vështira, ndërsa Ilirian Celibashi nuk është parë ndonjëherë në opozitë.
...