E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fitorja e PS në 5 bashki, Rama: Rezultate mbresëlënëse, 5 arsye më shumë për të falenderuar qytetarët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores së kandidatëve socilaistë në 5 bashki, Vlorë, Berat, Cërrik, Tepelenë e Mat. Rama deklaron se këto fitore janë 5 arsye më shumë për të falënderuar qytetarët për besimin ndaj Partisë Socialiste.

Ndërsa ka falënderuar secilin prej kandidatëve fitues, kreu i qeverisë thekson se këto fitore janë themel i fortë i punës që do pasojë në shërbim të komuniteteve.

“5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk se e stimulojnë pjesëmarrjen.

Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës;

Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave  dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës;

Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Partia Socialiste shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e pjesshme vendore në të pesta bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet.

Bashkia e Beratit do të drejtohet nga Ervin Ceca i cili në këto zgjedhje arriti të siguronte 13,050 vota, që përbëjnë 83.35% të totalit. Garën për drejtimin e Bashkisë së Tepelenës e fitoi kandidati i Partisë Socialiste, Gramoz Sako, i cili arriti të merrte 77.85% të votave. Bashkia e Cërrikut do të drejtohet nga Florenc Doka i cili në këto zgjedhje mundi të siguronte fitoren e thellë me 6,201 vota, që përbëjnë 66.22% të totalit.

Në krye të garës për Bashkinë e Vlorës u pozicionua Brunilda Mersini e cila shënoi një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti. Ajo siguroi 15,573 vota, që përfaqësojnë rreth 78% të totalit, duke e bërë rezultatin të pakontestueshëm. Ndërsa Bashkia e Matit, e fundit që mbylli numërimin e votave, do të drejtohet gjithashtu nga socialisti Altin Bojni. Ky i fundit shënoi fitore me difencë të thellë ndaj dy kandidatëve të pavarur, Eduart Brahilika kandidat i mbështetur nga opozita dhe Suzana Pasha, kandidatja e pavarur, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në këtë bashki.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›