E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita po privohet nga e drejta kushtetuese për të kontrolluar qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat,  deklaroi se opozita po privohet nga e drejta e saj kushtetuese për debat parlamentar.

Ai akuzoi mazhorancën për, siç u shpreh ai, “shkatërrimin e opozitarizmit parlamentar” dhe “shtypjen e zërit të opozitës” në Kuvend.

Sipas tij, në 10 seanca parlamentare të fundit, opozita është penguar të marrë fjalën dhe të debatojë për ligjet, aktet normative dhe projektvendimet e sjella nga qeveria, me përjashtim të një seance ku është diskutuar për institucionet e drejtësisë.

Berisha theksoi se në mënyrë antikushtetuese janë refuzuar të gjitha kërkesat e opozitës për komisione hetimore parlamentare, si dhe interpelancat me ministrat, të cilët shpesh mungojnë edhe në mbledhjet e komisioneve.

“Janë bërë 10 seanca në të cilat qeveria ka mbyllur mikrofonat për opozitën. Deputetëve u mohohen të drejtat themelore që Kushtetuta dhe rregullorja e parlamentit u garanton. Ministrat refuzojnë të vijnë në interpelanca, madje në komisione dërgohen zëvendësministra apo drejtorë”, tha Berisha.

Ai akuzoi qeverinë se po kërkon të “asgjësojë opozitën politikisht”, duke e shndërruar në “vegël pa funksion”, ndërsa theksoi se PD do të vijojë betejën për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›