E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fitorja në zgjedhje, Rama mesazh socialistëve: Rezultat historik. Mes nesh nuk ka humbës, por fitues

Edi Rama ka falënderuar strukturat dhe kandidatët socialistë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Përmes një mesazh, ai e cilësoi betejën politike si një përvojë të paharrueshme dhe me rëndësi historike për Partinë Socialiste.

“Sot ka mbaruar edhe numërimi i votave të diasporës, pra kanë mbaruar zgjedhjet dhe unë dua të ndaj me ju disa fjalë, aq sa lejon kjo dritare. Së pari, dua t’ju falenderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila bëri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit! Së dyti, dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor”, shkruan Rama.

Rama uroi ata që fituan mandate, ndërsa i cilësoi si pjesë të suksesit edhe ata socialistë që nuk arritën fitoren, por ishin në “fushën e betejës” për fitoren e PS-së.

Kryesocialisti nënvizoi se në këtë proces nuk ka humbës, por vetëm fitues që do të kontribuojnë për sfidat e ardhshme të Shqipërisë.

“Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme. Të gjithë atyre që s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës po vetëm fitues! Dhe së fundi, duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur”, shkruan Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›