E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në Akademinë solemne në Shkup, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit

“Së pari, dëshiroj të falënderoj me mirënjohje të thellë mikun tim, Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski dhe qeverinë e tij, për organizimin e festimeve të Jubileut të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, duke fisnikëruar në këtë akt vendin dhe kombin e tij dhe duke nderuar mbarë shqiptarët. Faleminderit shumë.

Sot, ne nderojmë një nga ngjarjet më kulmore në historinë tonë kombëtare, 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit, i cili, sëbashku me Lidhjen e Prizrenit, do të përbënin dy zhvillimet më kulmore të kombit shqiptar nga kohërat e Skënderbeut deri në ditën e mbajtjes së tyre.

Vendimi i Kongresit të Manastirit ishte përcaktues jo vetëm për njësimin për njësimin e gjuhës sonë të bukur, por ishte vendimtar për njësimin, bashkimin e kombit shqiptar rreth idealeve te pavarësisë kombëtare.

Alfabeti u shndërrua në katalistin e madh të lëvizjeve të mëdha kombëtare shqiptare, të cilat do të kurorëzoheshin me pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912. Pa Prizrenin, pa Manastirin, Vlora nuk do të ishte. Ishin këto ngjarje të mëdha që bënë të mundur që shqiptarët të nisin rrugën e tyre të lirisë dhe të pavarësisë. 

Alfabeti i gjuhës shqipe dhe historia e tij ngjan shumë me historinë e flamurit, i cili, pas vdekjes së princit të shqiptarëve, rrugëtoi për të mbetur i fjetur në librat e perëndimit dhe për t’u zgjuar sërish në vitet e lëvizjeve të mëdha kombëtare.

Kështu pra, është pak a shumë dhe historia e këtij alfabeti. Kur burrat më të shquar të kombit u mblodhën në Manastir, në trevat shqiptare qarkullonin alfabete të shumtë, sepse, pas vdekjes së Skënderbeut, sunduesi bëri të gjitha përpjekjet për skajimin e madh të alfabetit, në të cilin ishte shkruar gjuha shqipe shumë e shumë shekuj më parë. Ai mbeti thjesht alfabet i gjuhës liturgjike dhe ajo natyrisht, në një perandori ku besimet e krishtera ishin pakica e pakicave.

Në këtë kontekst, alfabeti rilindi në Manastir. Gjuhës iu rikthyen germat, me të cilat pothuajse ajo kishte lindur. Por ata burra të mençur e të guximshëm të kombit, të udhëhequr nga Pader Gjergj Fishta, Mithat Frashëri e shumë të tjerë, të cilët vendosën të përzgjedhin alfabetin latin, i bënë kombit një shërbim të jashtëzakonshëm, pasi në ato vite luftërash në Europë dhe Ballkan, vite të shpërbërjes së perandorisë otomane, vite kur disa ndëshkoheshin, të tjerë shpërbleheshin, ekzistenca e kombit pa Vlorën dhe alfabetin do të ishte në pikëpyetje të madhe.

Ishte Vlora dhe alfabeti që u shndërruan në shtyllat më kryesore frymëzuese të mbijetesës së kombit shqiptar, i cili sot jeton i lirë aty ku ndodhet, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo.

Duke i kthyer gjuhës alfabetin e vet, ata i bënë një shërbim tjetër të madh vendit. Alfabeti latin ishte alfabeti i qytetërimit më të zhvilluar të kohërave. Ndaj dhe Pashko Vasa, ky zyrtar i lartë i Portës, guvernator në Bejrut (Liban), do të kërkonte që alfabeti i gjuhës të ishte ai latin, sepse me këtë alfabet shkruajnë kombet më të zhvilluara të Europës dhe botës.

Ndaj kjo ditë është një ditë nderimi të madh për udhëheqësit, komisionin dhe delegatët e alfabetit, por edhe për qytetarët e Manastirit, këtij qyteti të bekuar, i cili ka luajtur një rol të madh në zhvillimet rajonale, por edhe më gjerë në tërë historinë e tij.

Zoti Kryeministër,

Edhe një herë dua t’ju falënderoj ju dhe qeverinë tuaj për këtë akt dhe vendim për të festuar në Shkup, në kryeqytetin e vendit tuaj, këtë Akademi solemne, dëshmi kjo e vullnetit të madh, të respektit të palëkundur reciprok të dy kombeve tona. Shqiptarët dhe maqedonasit kanë një histori të gjatë bashkëpunimi, një histori të gjatë përpjekjesh të përbashkëta për liri dhe dinjitet. Të dy vendet ndajnë sot dy projekte të mëdha, atë të integrimit europian dhe euroatlantik.

Sot, pata një takim pune me Kryeministrin Gruevski dhe kemi rënë dakord që me përpjekje të përbashkëta të intensifikojmë më tej marrëdhëniet tona të shkëlqyera, dëshmi e të cilave është kjo Akademi që mbajmë sot, të mbështesim njëri-tjetrin në të gjithë përpjekjet për të ardhmen e përbashkët që meritojmë.

Duke përfunduar, unë shfrytëzoj rastin për t’i uruar shqiptarëve kudo që ndodhen, miqve të kombit tonë gëzuar këtë ditë, të përjetësisë të një prej gjuhëve më të bukura të planetit për mua.

Ju faleminderit.”


22/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›