E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Samitin e 11-të të Frankofonisë, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë Organizatë

Gjatë punimeve të Samitit të 11-të të Frankofonisë, në Bukuresht të Rumanisë, Shqipëria mori statusin e anëtarit me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Kryeministri Berisha, i cili ishte i pranishëm në këtë samit në krye të një delegacioni të nivelit të lartë, përshëndeti konferencën, si dhe vendet anëtare për mbështetjen që i dhanë kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, ndër të tjera, u shpreh:

«Dëshiroj t'ju drejtoj falenderimet më të përzemërta për mbështetjen e treguar ndaj kandidaturës sonë, duke i dhënë në këtë mënyrë Shqipërisë vendin që asipronte dhe i takonte në gjirin e familjes frankofone.

Zoti President,

Ky është një vendim i rëndësishëm, i cili dëshmon pikësëpari se realiteti frankofon në Shqipëri është i njohur dhe i vlerësuar. Ky vendim tregon gjithashtu se mesazhi mbi rëndësinë e përparimit drejt integrimit të plotë dhe efekti pozitiv që ky i fundit ngjall përgjithësisht në Shqipëri dhe në bashkësinë frankofone në vecanti, është dëgjuar dhe mbështetur më në fund sot nga të gjitha vendet anëtare.

Ne këtë moment unë jam zëdhënës i të gjithë aktorëve politkë e shoqërorë, i shoqatave, mjediseve kulturore, akademike dhe gjithë individëve të tjerë të lidhur me gjuhën frënge dhe kulturën frankofone, që e konsiderojnë pranimin e plotë të Shqipërisë në Frankofoni si shpërblimin e drejtë të punës dhe përpjekjeve të tyre të pareshtura për ruajtjen dhe zhvillimin e frymës frankofone në vend. Nëse është e vërtetë se realiteti frankofon në Shqipëri është shumë më i hershëm se frankofonia institucionale, nuk është më pak e vërtetë se sot ky realitet e gjen veten plotësisht në organizatën e Frankofonisë përmes vendimit që vulosi këtë bashkim.

Frankofonia po punon aktualisht për të marrë vendin që i takon në arenën ndërkombëtare. Ajo është shndërruar sot në zërin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, dy tema madhore e që janë pjesë e parimeve tona themelore. Në kohën e shndërrimeve të mëdha që po trondisin botën, në kohën e përhapjes afatgjatë të globalizmit që po e ndryshon thellësisht mënyrën tonë të jetesës, në kohën kur njerëzimi po vazhdon ecjen e vet drejt një begatie më të madhe, ndërsa hendeku ndërmjet Veriut dhe Jugut thellohet edhe më tepër, në kohën kur solidariteti nuk përbën më një demagogji pa vlerë, por përkundrazi, një parim të marrëdhënieve ndërkombëtare, më lejoni t'ju siguroj se Shqipëria nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të dhënë kontributin e vet në nxitjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të frymës themeltare të Frankofonisë, e cila bazohet mbi vlera dhe parime që janë të bashkëvlefshme me ato të demokracisë.

Dëshiroj të përgëzoj kryeministrin e Rumanisë, këtij vendi mik të Shqipërisë, për lajmin e lumtur që morën këto ditë, përkatësisht anëtarësimin e ardhshëm të Rumanisë në Bashkimin Europian. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për Rumaninë, por për gjithë hapësirën e Ballkanit dhe afrimin e tij të pandërprerë me Bashkimin Europian.

Në përfundim, do të doja t'i përcillja falenderimet më të përzemërta Sekretarit të Përgjithshëm, Presidentit Diouf, për mbështetjen e pakursyer që ka treguar ndaj kandidaturës sonë dhe përkushtimin me të cilin drejton organizatën.

Ju faleminderit për vëmendjen ».

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›