Fjala e Kryeministrit Berisha në Senatin e Belgjikës
Në fjalën e mbajtur në Senatin e Belgjikës, Kryeministri Sali Berisha, ndër të tjera, u shpreh:
"Është një nder i madh dhe një privilegj i veçantë të flas sot përpara kësaj audience të nderuar.
Ne radhe te pare do te desha t'ju falenderoj per ndihmen qe me keni dhene mua personalisht, per te realizuar rotacionin paqesor te pushtetit dhe per ndihmen e madhe qe i keni dhene Shqiperise per konsolidimin e demokracise, institucioneve te pavarura dhe shtetit ligjor.
Vizita ime këtu në Bruksel zhvillohet vetëm disa ditë pas 12 qershorit, ditës kur Shqipëria nënshkroi me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është për ne shqiptarët një ngjarje historike. Ajo shënon lënien pas të periudhës së tranzicionit, duke konsoliduar në mënyrë të pakthyeshme rrugën drejt realizimit te endres të kombit për rikthimin dhe ribashkimin me familjen e tij europiane me të cilën ndani vlerat e mëdha të qytetërimit perendimor.
Me gjithë vuajtjet e shkaktuara nga shekulli që kaloi, pushtimet, copëtimet e padrejta, racizmin, spastrimet etnike që përjetoi, si dhe diktaturën e eger qe e izoloi tërësisht nga Europa, kombi im nuk pushoi kurrë së besuari në realizimin e kësaj aspirate madhore.
Për këto arsye integrimi ne BE është për ne shqiptaret projekti me madhor i shekullit XXI, projekti i te ardhmes evropiane qe meritojmë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të jetë udhërrëfyesi ynë drejt kësaj së ardhmeje.
Por, unë dua të theksoj gjithashtu se, nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje, ishte një vlerësim shumë i madh për shqiptarët që në këto 15 vjet shndërruan vendin e tyre nga vendi i diktaturës orvelliane, monizmit dhe hiperkolektivizmit total, besimeve fetare dhe lirive dhe të drejtave të tjera të ndaluara me kushtetutë, në vendin e pluralizimit politik të konsoliduar, pluralizimit fetar dhe tolerancës së shkëlqyer fetare, vendin në të cilin të ardhurat për frymë janë rritur 11 herë dhe mbi 80% e prodhimit të brendshëm vjen nga sektorë privatë.
Gjej rastin t'ju falënderoj qeverine e Mbreterise se Belgjikes dhe kryeministrin tuaj dhe ju si përfaqësues të popullit belg për mbështetjen e vazhdueshme dhe pa rezerva që Mbretëria e Belgjikes i ka dhënë dhe po i jep integrimit të Shqipërisë ne Bashkimin Evropian dhe ne NATO. Kemi besim të plotë së Mbretëria e Belgjikës do ta ratifikojë MSA në një kohë sa më të shpejt të mundshme.
Nga ana jonë, ne do te bëjmë çdo përpjekje, do te ndërmarrim çdo reforme ne mënyre qe të shndërrojmë tërësinë e normave, standardeve, kërkesave dhe kritereve te Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit, të Partneritetit Europian dhe Kriteret e Kopenhagenit në një histori të suksesshme, themele solide te demokracisë sonë te bazuar ne tregun e lire, garantimin e lirive dhe te drejtave te qytetareve dhe minoriteteve, shtetin ligjor, ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e institucioneve te pavarura, pavarësinë e mediave, luftën me zero tolerance ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit.
Zonja dhe zoterinj,
Me 3 korrik te vitit 2005 shqiptarët ndonëse në kushte të vështira realizuan rotacionin paqësor të pushtetit. Ata votuan për të shëmbur murin e krimit të organizuar, murin e sistemit të korrupsionit që kishin pothuaj bllokuar rrugën e integrimit të tyre dhe zhytën atë në varfëri të thellë.
Gjatë këtyre nëntë muajve të parë të qeverisjes, ne kemi ndërmarrë një sërë reformash të thella institucionale dhe të gjithanshme, duke përcaktuar si përparësinë me te madhe konsolidimin e shtetit ligjor, si kushtin me vendimtar për suksesin e reformës ne tërësi, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe cmontimin e sistemti te korrupsionit, luftën me zero tolerance kundër krimit te organizuar, njërit ndër më të fuqishmit dhe më të pasurit në Europë, përfundimin e reformës së pronësisë duke nxjerrë vendin nga ekstra-legaliteti dhe duke hartuar një platformë ligjore e institucionale, të qartë dhe realiste për përfundimin e shpejtë të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investitorët e huaj.
Ne këto pak muaj ne mbare vendin është vendosur sundimi i ligjit, respektimi dhe zbatimi i paanshëm i tij. Sukses real është arritur në luftën kundër krimit të organizuar. Kështu, në sajë të korajos dhe profesionalizimit të lartë të punonjësve të agjensive të zbatimit të ligjit, si dhe te një bashkëpunimi te shkëlqyer me agjencitë e zbatimit te ligjit te vendeve mike, kemi arritur të vendosim para drejtësisë të gjitha organizatat dhe grupet kryesore me te rrezikshme te krimit te organizuar. Me qindra anëtarë të këtyre organizatave, përfshi edhe bosët tyre, janë arrestuar në Shqipëri dhe vendet e tjera dhe janë vendosur para ligjit.
Trafiqet ilegale kanë marrë ne këto pak muaj përgjigjen më të fortë, më të merituar se ndonjëherë më parë. Moratoriumi 3-vjeçar për skafet është një sukses shumë i madh në këtë drejtim.
Unë mund t'ju sigurojse Shqipëria është sot një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe më gjërë.
Korrupsioni dhe perceptimi ndaj tij ka rënie drastike. Evazioni fiskal dhe kontrabanda kane rene ndjeshëm dhe te ardhurat nga taksat dhe tatimet ne sajë të administrimit më të mirë fiskal janë rritur 32 % në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që sipas KPMG Shqipëria këtë vit ze vendin e parë në botë në uljen e taksave si përqindje dhe vendin e dytë si vlerë absolute.
Në sektorin e ekonomisë qeveria ka marrë një sërë masash për promovimin e ekonomisë, biznesit dhe investimeve të huaja. Qëllimi ynë është: Shqipëria vendi i rritjes së shpejtë ekonomike, vendi më tërheqës për investimet e huaja në rajon dhe më gjerë.
Në përpjekjen tonë për të tërhequr investitorët e huaj ne përgjysmuan taksat e biznesit të vogël; kemi ulur 31% taksën e sigurimeve shoqërore, reth 13% taksën e të ardhurave personale, kemi hequr cdo takse për makineritë e importuara, liberalizuam licencat, thjeshtuam procedurat e regjistrimit të biznesit dhe u shkurtua koha e regjistrimit nga 42 në 8 ditë. Më tej, përgjysmuam koston e regjistrimit të biznesit; kemi ulur 33%-45% çmimin e energjisë për biznesin, kemi bërë transparente procedurat e tenderimit publik dhe jemi duke përfunduar amendimin e ligjit të partneritetit publik privat dhe ngritur Agjensinë Kombëtare të Koncensioneve. Liria e tregut ka fituar dimensione te reja, është rritur interesi i biznesmenëve për te investuar ne Shqipëri. Dy ditë më parë Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri organizoi një vizitë me 30 biznesmenë belgë, përfaqsues të Korporatave me të rëndësishme belge në Shqipëri. Kam kënaqësinë t'ju informoj se në Shqipëri po ndizen motorrët e rritjes së shpejtë ekonomike, kështu nga 5% që ishte parashikuar rritja do të jetë mbi 6%.
Zonja dhe zotërinj,
Ne jemi shumë të lumtur për marrëdhëniet politike shume te mira midis dy vendeve tona të cilat shkojnë gjithnjë e me shume duke u thelluar ne fushat e interesit reciprok. Ministri juaj i jashtëm vizitoi në muajin maj Shqipërinë në një vizitë realisht të suksesshme.
Nënshkrimi i Deklaratës se Përbashkët midis Republikës se Shqipërisë dhe Mbretërisë se Belgjikës ne vitin 2004 ne Tirane, ka hapur shume mundesi bashkepunimi ne fusha te ndryshme midis institucioneve dypaleshe. Ne kete kuader jane nenshkruar një arsenal i tërë marreveshjes dypaleshe : ne fushen e Bashkepunimit Policor, ne fushen e Transportit Nderkombetar te Mallrave dhe Udhetareve, Marreveshje e Mirekuptimit midis dy Ministrive te Mbrojtjes, Marreveshja e Ripranimit, eshte duke u perpunuar Marreveshja ne fushen e Bashkepunimit ne fushen e Drejtesise, Marreveshja e Transportit Ajror, etj. Gjej rastin të përshëndes palën belge për vendimin e marrë së fundmi për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike. Shpresojmë të shohim më shumë progres në fushën e lehtësimit të vizave për gjithë qytetarët tanë edhe në nivel mbarë-europian.
Ky nivel shume i mire i bashkëpunimit politik midis dy vendeve tona duhet të sjellë më shumë substancë në marrëdhëniet tona ekonomike dhe shkëmbimet tregtare.
Ne besojmë se ekzistojnë shumë hapësira te pa eksploruara ende për një bashkëpunim me efektiv ekonomiko-tregtar midis vendit tone dhe Mbretërisë se Belgjikës. Belgjika është një nga partnerët tanë evropianë më të rëndësishëm. Qeveritë e vendeve tona kanë krijuar tashmë kuadrin ligjor të domosdoshëm për zhvillimin e biznesit ndërmjet të dy vendeve gjë që dëshmon qartë vullnetin politik dhe interesat e përbashkëta për të bërë më shumë biznes me njëri tjetrin.
Do të desha të theksoja se Shqipëria, dhe Ballkani Perëndimor në tërësi, ofrojnë mundësi të mëdha për sipërmarrësit belg për investime fitimprurëse. Shqipëria përfaqëson një potencial të madh turistik për t'u zhvilluar. Nga natyra ajo ngjason me një Zvicër me dete, brigjet e saj adriatike dhe joniane, të cilat janë më mahnitëset në Mesdhe. Po ashtu, alpet e virgjëra shqiptare, me bukuri përrallore ofrojnë oportunitete të mëdha për zhvillimin e turizmit dimëror. Si një vend me një rritje vjetore të lartë, Shqipëria, ka nevojë të vazhdueshme për zgjerimin dhe modernizimin e sektorit energjitik.Çdokush mund të kërkojë fitimin e sigurt në koncesionet që qeveria po përgatit për ndërtimin e hidrocentraleve, termocentraleve, infrastrukturës moderne të transportit dhe utiliteteve apo industrinë minerale. Teknologjia e informacionit si dhe shumë fusha të tjera janë tregje në formim (emerging markets) që garantojnë një kthim të shpejtë të kapitalit investues (return on the investment). Prandaj dhe ju bëj thirrje t'i inkurajojmë zgjedhësit tuaj, investitorët belgë, të vijnë në Shqipëri. Ju siguroj se do të jeni shumë të mirëpritur dhe do te gjeni nje aleat dhe mik qe do t'ju perkra: qeverine shqiptare.
Gjej rastin të përshëndes dhe inkurajoj thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Dhomes se Tregtise dhe Industrise se Shqiperise dhe Dhomave te Tregtise dhe Industrise se Flandres dhe Ëallonise.
Të nderuar Senatorë,
Zonja dhe zotërinj,
Së fundi do të desha të shtoja dy fjalë për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor.
Unë vij sot këtu vetëm tre ditë pas vizitës sime në Kosovë. 12 qershori është për popullin e Kosovës gjithashtu një dite e bekuar historike, e lidhur me përpjekjet e tij te mëdha për liri dhe identitet evropian. Gjatë vizitës sime në Kosovë me një kënaqësi të jashtëzakonshme konstatova progresin e admirueshëm që Kosova ka arritur gjatë këtyre viteve për mbylljen e plagëve të rënda të luftës, rindërtimin e vendit, ndërtimin e shtetit ligjor, demokratik, shumetnik ku respektohen të drejtat dhe liritë e individit pavarësisht nga përkatësia etnike dhe besimi fetar. U impresionova shumë nga vendosmëria e mbarë klasës politike, institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe shoqërisë kosovare në tërësi për zbatimin efektiv të decentralizimit, të bazuar në Kartën Europiane të Autonomisë Lokale e Rajonale dhe gjithë kërkesave të grupit të kontaktit. Por më shumë u impresionova nga vizioni europian dhe vendosmëria e qytetarëve Kosovarë për re-kthim në familjen europiane dhe në strukturat euro-atlantike.
Në mesazhin që unë i përcolla lidershipit kosovar dhe atij të minoriteteve të tjera si dhe mbarë populli të Kosovës, kërkova që të vazhdojnë me këtë shembull unik dhe të admirueshëm tolerance, me këtë ndërgjegje të lartë qytetërimi europian e perëndimor duke bashkëpunuar me njëri tjetrin pavarësisht nga përkatësia etnike, besimi fetar për ndërtimin në Kosovë të një shteti ligjor, të lirë e demokratik, që respekton pa dallim të gjithë qytetarët e tij.
Shqiptarëve të Kosovës u kërkova vëllazërisht të dëshmojnë edhe njëherë shpirtin e madh gjeneroz e europian të shqiptarit dhe të falin. Të falësh nuk do të thotë kurrë të harrosh, përkundrazi është mënyra më fisnike që të nderosh dhe përjetësosh kujtimin e më të dashurit tënd. Kjo është rruga e vetme për të shndërruar në virtyt, madje në virtytin më të arrirë, sakrificën e tij sublime dhe për të shndërruar në dritën e të ardhmes shpirtin e njeriut tënd të dashur, për të lartësuar se bashku me të ngrehinën madhështore të Kosovës se lire.
Me admirim konstatova se ky mesazh që unë kërkoja tu përcillja qytetarëve të kosovës ishte aty ndër mes tyre, pjesë e përditshme e jetës së tyre me fqinjin. Unë besoj se ky nivel i lartë qytetërimi dhe virtyti për tolerance dhe faljeje, ky vullnet i popullit të Kosovës, i shprehur fuqishëm më shumë se një herë, për pavarësi dhe ri-kthim ne familjen euro-atlantike duhet respektuar.
Zhvillimet e viteve të fundit në Mal të Zi dëshmuan gjithashtu qartë vendosmërinë e qytetarëve të këtij vendi fqinj dhe mik për integrim në strukturat euro-atlantike. Gjej rastin të përshëndes verdiktin e popullit malazez për këtë të ardhme europiane.
Faktor kryesor qe ka ndihmuar kombet tona të Ballkanit Perëndimor ne përpjekjet e tyre për te arkivuar te shkuarën e tyre recente ishte pikërisht kjo ëndërr, kjo aspiratë për integrim, e cila mbijetoi luftërat dhe konfliktet, dhe plazmoi me shpejtësi procesin e bashkëpunimit respektit, miqësisë, besimit dhe shpresës te kombeve tona ndaj njeri-tjetri. Ne mbetemi të bindur se integrimi i plotë i vendeve tona në BE dhe NATO vazhdon të mbetet instrumenti më i suksesshëm, garantuesi më i madh për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
Faleminderit shume".