E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

Në rendin e ditës ka një sërë çështjesh, por mendoj se për median dhe publikun më të rëndësishme jane dy kryesoret:

Së pari, projektligji për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, i cili është një projektligj themelor, pas atij të kompensimit dhe rikthimit të pronave, në reformën e pronësisë së këtij vendi. Këto dy projektligje, së bashku me ligjin 7501, ligjin "Për privatizimin e banesave", janë projektligje të cilat kompletojnë reformën e pronësisë së sistemit demokratik që ne ndërtojmë, e vendosin këtë sistem mbi bazën e pronës private dhe iniciativës së lirë. Ky projektligj është hartuar mbi konceptet më moderne aktuale të reformës së pronësisë, ka vendosur individin, qytetarin në epiqendër të kësaj reforme, ka përcaktuar si qëndrim, qëndrimin miqësor ndaj tij.

Mendoj se me miratimin e tij, zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe të këtij ligji, Shqipëria bëhet krejt tjetër, një kapital i madh çlirohet. Tregu, promotori më i fuqishëm i zhvillimit të shoqërisë merr një fuqizim të madh. Qytetari, iniciativa e tyre, fiton energji dhe dimensione të reja. Ligji është një rezultat i një debati të gjerë mbi 2-3 vjeçar me të gjitha grupet e interesit, me të gjithë shoqërinë e interesuar për këtë problem. Eshtë rezultante e diskutimeve me drejtuesit, me qytetarët, me të shpërngulurit, me ish-pronarët. Nuk ka ardhur asnjëherë në këtë kabinet, në këtë sallë, ligj më gjerësisht i diskutuar se sa ky. Ky ligj pati ekspertizën ndërkombëtare të shkallës më të lartë. Hernando de Sotto u njoh, pëlqeu dhe mbështeti parimet mbi të cilat ishte ndërtuar ligji.

Çështje tjetër thelbësore për të cilën do të vendosim ne së bashku, është krijimi i një Task Force kundër korrupsionit. Duke studiuar vendet e tjera, përpjekjet e tyre në luftën kundër korrupsionit, vende të zhytura si Shqipëria në sistemin e korrupsionit, konstatohet se suksesi apo mossuksesi i këtyre vendeve përcaktohet totalisht nga transparenca e tyre e plotë në prokurimet publike, privatizimet, liçensimet, pra në veprimtarinë e rëndësishme qeveritare. Ndaj dhe Task-Forca ka përfshirë një spektër të gjerë zyrtar të lartë insitucionesh që kanë lidhje direkte me shërbimet publike, me prokurimet e liçensimet, me privatizimet. Ne u deklaruam shqiptarëve se në krye do të jetë Kryeministri. Nuk mund të bëhet asnjë shmangie nga ato që kemi thënë. Kështu që kjo Task-Force, kësaj here ka një departament në mbështetje të kontrollit të brendshëm dhe anti-korrupsionit, të krijuar pranë Këshillit të Ministrave. Kjo task forcë përpunon jo vetëm strategji, por ndjek çdo ditë konkretizimin dhe ekzekutimin e saj. Krahas kësaj drejtorie të rëndësishme që krijohet në Këshillin e Ministrave, organizmin e ri, do të vendosen linjat jeshile, pas një urdhri që do të lëshohet pas miratimit të Task Forcës, në Kryeministri, në Ministrinë e Rendit Publik, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Arsimit dhe Shëndetësisë dhe këto telefona nuk do jenë tek dezhurni, por në kabinetin e ministrit. Me regjistrator qytetarët do të bëjnë denoncimin e tyre, do të dëgjohen dhe jo vetëm do të dëgjohen, por një ligj do të miratohet për këtë nesër ne mbledhjen tjetër të qeverisë.

Po në këtë funksion, vendoset rikthimi i shpërblimit të atij që denoncon krimin. Korrupsioni është krim. Qytetari i cili fakton me prova të pakundërshtueshme, do të shpërblehet me një përqindje të caktuar të bazës të fitimit që do të nxirret nga ky denoncim. Do të shpërblehet me disa rrroga të caktuara të nëpunësit që i kërkon para për t'i sanksionuar një të drejtë të ligjshme. Denoncimi i krimit është shpërblyer në të gjitha kohërat. Natyrisht, ligji përjashton çdo lloj forme shpërblimi për trillim, shpifje, thashetheme dhe gjëra të pafaktuara, për hamendjet. Se pastaj disa nga eksponentet aktualë të opozitës do të bëheshin miliarderë.
Pra, në këtë mënyrë, mendoj se ne bëjmë një përballje më transparente, më të qetë, më të sigurt me këtë fenomen, nga i cili shoqëria shqiptare duhet dhe të çlirohet dhe po çlirohet gjithnjë e më shumë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›