Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, pas disa dekadave punë ekspertët prezantojnë draftin final

Pas një pune 4-vjeçare të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me institucionet e kësaj fushe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut është prezantuar drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe.
Një prej veprave më madhore leksikografike, që pasqyron, ruan dhe hedh në përdorim pasurinë më të madhe leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes së sotme.
“Vepra në fazën e parë ka gjithsej 125 mijë njësi leksikore. 103 mijë tituj mbi 2.5 herë më shumë se fjalori i 1980. Rreth 5 mijë emertime, mbi tre mijë fjalë të fshehura”, bëri me dije gjuhëtari Valter Memisha.
Fjalori është rezultat i disa dekadave punë nga gjuhëtarë, leksikografë dhe studiues të njohur të mbarë shqipes brenda e jashtë kufijve.
Kjo është faza e parë, e cila do të kalojë për konsultim publik para se fjalori të marrë formën e tij përfundimtare brenda vitit 2025.
Projekti “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”, krahas projekteve “Historia e popullit shqiptar” dhe “Enciklopedia shqiptare”, mori miratimin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Si një projekt qeveritar mbarëkombëtar, fjalori do të jetë burim këshillimi, studimi e hartimi për fjalorë të tjerë të tipeve të ndryshme./vizionplus.tv