Flamenkoja e Duquende katalanit
Juan Cortés emri i vërtetë i Duquendes, një legjendë moderne katalane e muzikës flamenko, vjen për herë të parë në Shqipëri. "Nata e Flamenkos në Tiranë", sonte, ora 20.00 në skenën Black Box të Akademisë së Arteve. Duquende shoqërohet nga kitarrat e Chicuelo dhe Armando Orbón.
Ai çmohet për interpretimin e thellë emocional dhe shfrytëzimin e "burimeve" të hershme të këngëtarëve më të mirë të flamenkos dhe të zhanreve të saj, soleá, fandango, bulería, tango, rumba.
I lindur në Sabadell (Barcelonë) më 1965, zëri i tij u zbulua në moshën nëntë vjeçare nga këngëtari i famshëm Camarón de la Isla. "Nisa të këndoj kur isha pesë a gjashtë vjeç kur ky burrë më bëri për vete. Gjithmonë më ka pëlqyer.
Më kanë pëlqyer edhe këngëtarë të tjerë, por askush nuk ma ka mbushur shpirtin si Kamaroni. Më vonë unë fitova miqësinë e tij, dhe mënyrën e tij të të kënduarit dhe u përpoqa të zhvilloj stilin tim duke e përdorur atë si një pikë nisjeje, sepse megjithëse tingëllon bukur, duhet ta kujtosh maestron. Kamaron ishte një këngëtar i përsosur i flamenkos. Ishte dhe vazhdon të jetë i pakrahasueshëm", kujton Duquende mësuesin e tij.
Ai ka punuar me kitarristë emblematikë si Tomatito dhe Paco de Lucía, që gjithashtu kanë shoqëruar Camarón de la Isla. Në karrierën e tij ka realizuar gjashtë albume nga të cilat i fundit është "Mënyra ime e të jetuarit".
E si është kjo mënyrë të jetuari? "Mënyra ime e të jetuarit është si e çdo cigani tjetër. Me njerëzit e mi, me familjen time, me flamenkon time, duke dëgjuar gjërat e mia", përgjigjet Duquende.
Me emrin e tij qarkullojnë disqet "Samaruco", "Qawali Jondo" së bashku me këngëtarin pakistanez Faiz Ali Faiz, "Mi forma de vivir" me Chicuelo-n, si dhe një regjistrim direkt në Cirque d'Hiver të Parisit.
I pyetur se çfarë mendon për flamenkon e re ai përgjigjet: "Nuk besoj të ketë shumë flamenko përqark, njerëzit po e çojnë atë në vende të tjera. Mirë është ta kënaqësh publikun, por unë besoj tek një flamenko ndryshe, besoj tek flamenkoja e pastër."
Ai vetë pëlqen të dëgjojë këngëtarët e vjetër që janë kolonat dhe rrënjët e flamenkos. "Këtu mbështetem unë.
Marr këngët e vjetra realizuar në një formë të vjetër dhe i bëj ato moderne." Metaforë e kësaj mënyre të punuari me flamenkon, është fotoja e albumit të fundit "Mi forma de vivir" ku këngëtari shfaqet duke pirë ujë "nga një burim ciganësh".
Me këtë koncert mbyllen aktivitetet e "Vjeshtës kulturore spanjolle 2009" në Shqipëri që organizohen nga Ambasada e Spanjës në Tiranë.