E Diel, 1 Nëntor 2026

Statuti, rriten kompetencat e Berishës, zvogëlohen të Kryesisë

Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi dje formalisht ndryshimet e kryera në statutin e Partisë Demokratike


TIRANË - Kuvendi i Partisë Demokratike miratoi dje formalisht ndryshimet e kryera në statutin e Partisë Demokratike. Me një të ngritur dore, delegatët kanë votuar njëherësh për të gjitha ndryshimet statutore, që u servirën dje në një material të shkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode.


Nga ndryshimet e bëra, parimi "një anëtar një votë" ka mbetur sërish në nivelin e zgjedhjes së grupseksioneve, ndërkohë që është mënjanuar për strukturat e larta drejtuese.


Një ndryshim tjetër lidhet me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Në statutin e mëparshëm parashikohej që vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e kishte Këshilli Kombëtar me propozim të Kryesisë Qendrore dhe kryetarit të Partisë Demokratike.


Ndërsa në ndryshimet e kryera nga komisioni për ndryshimet statutore që drejtohej nga Ridvan Bode, vihet në dukje zgjerimi i kompetencave të kryetarit të partisë në këtë drejtim.


Sipas nenit 34/6 me ndryshimet statutore sanksionohet që vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia Qendrore me propozim të Kryetarit të kësaj partie. Referuar statutit të vjetër tashmë, me ndryshimet e reja, Kuvendi nuk do të mund të mblidhet edhe në çdo dy vjet për çfarë do lloj arsye.


Sa i përket kompetencave të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ndryshimi që evidentohet në të, ka të bëjë me përcaktimin e anëtarëve që do të zgjidhen me votim të fshehtë në Këshillin Kombëtar.


Në statutin e mëparshëm sanksionohej se Kuvendi Kombëtar ka si kompetencë që të zgjedhë më votim të fshehtë 100 anëtarë të Këshillit Kombëtar, ndërsa në statutin e ri për kompetencën e Kuvendit Kombëtar nuk parashikohet përcaktimi i numrit për Këshillin Kombëtar, duke krijuar në këtë mënyrë rritjen e hapësirës për përcaktimin e anëtarëve për në Këshillin Kombëtar sipas preferencave të liderit të partisë. Ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike nuk kanë lënë pa prekur edhe kompetencat e Kryesisë së kësaj force politike.


Kryesisë së partisë i është hequr e drejta për t'i propozuar Këshillit Kombëtar kandidatura për postet e larta, si në pushtetin legjislativ ashtu edhe në atë ekzekutiv, ndërkohë që ka mbetur në fuqi kompetenca e saj për ndërhyrjen dhe refuzimin për kandidatët, që vijnë të përzgjedhura nga organet vendore.


Me ketë ndryshim, i jepet dorë e lirë kryetarit të partisë që të zgjedhë vetë kandidaturat për në ekzekutiv dhe legjislativ, për sa kohë që statuti i ri nuk parashikon asgjë në këtë drejtim.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›