E Martë, 3 Nëntor 2026

Flamur Noka mbledh kryesinë në mungesë të Berishës, vendoset vazhdimi i protestave

Pavarësisht masës së arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha, mbështetësit e tij janë të vendosur për të vijuar aksionin opozitar.

Në mungesë të Berishës, Kryesia e mbledhur nga sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, vendosi të përshkallëzohen protestat dhe aktet e mosbindjes civile.

“Është koha t’i përgjigjemi armikut tonë me mosbindje civile në një betejë pa kthim. Sali Berisha, kryetari i kësaj partie dhe lideri historik i saj, është sot i izoluar, por ai sot është më i pamposhtur se kurrë,” deklaroi z. Noka.

Ai tha se arrestimi i Berishës është tërësisht politik me synimin asgjësimin e PD-së dhe të opozitës. Noka theksoi se kryeministri Edi Rama po investohet për të zhbërë historinë e vendit dhe ngjarjet që janë shënuar gjatë qeverisjes së PD-së, sikundër janë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO, investimet me impakt në ekonomi, siç është projekti strategjik TAP.

“Kjo është një përpjekje për të fshirë nga historia emrin e Sali Berishës dhe të Partisë Demokratike në transformimin epokal të Shqipërisë, për të krijuar një Shqipëri të re nga Kinostudioja “Shqipëria e re” e propagandës, ku të vetmet emra të ngelen ai i Enver Hoxhes dhe i Edi Ramës,” tha z. Noka.

Në Kryesi u vendos që të jenë të vazhdueshme tubimet para banesës së ish-kryeministrit Berisha.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›