Flamuri, Dule: Askush s`mund të eklipsojë marrëdhëniet mes dy vendeve

Askush nuk mund të eklipsojë marrëdhëniet e mira midis Shqipërisë dhe Greqisë. Kështu ka deklaruar nga qyteti i Korcës kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, lidhur me incidentin me flamurin shqiptar në Greqi.
Sipas tij eklipsimi nuk mund të ndodhë, pavarësisht dëshirës së disa individëve të veçantë apo qarqeve me influencë të kufizuar në vendin tone, të cilët sipas tij nuk e duan miqësinë mes dy vendeve.
Lidhur me marrëveshjen për ujrat detarë me Greqinë, Dule është shprehur se kjo cështje është e mbështetur në të drejtën kombëtare. Në këtë kontekst ai ka shtuar se kjo çështje shumë afër zgjidhjes dhe nuk ka vend për debat tjetër.
Gjatë ditës së sotme edhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos i ka kërkuar zyrtarisht ndjesë publike Shqipërisë për incidentin me flamurin shqiptar.
Ministri Avramopulos i telefonoi homologut të tij shqiptar duke i kërkuar personalisht ndjesë duke theksuar se ky incident nuk do të cënojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ndërkohë ambasada e Greqisë në Tiranë pritet të paraqesë ndjesë zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Flamuri shqiptar ishte me kokë poshtë, gjatë konferencës së djeshme për shtyp mes dy Ministrave të Jashtëm, atij shqiptar Edmond Panariti dhe atij grek Dimitris Avramopulos.