Flamuri: Rama kërkon të prishë zgjedhjet, ndaj kërkon hetim për votuesit në Kukës
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka deklaruar nga salla e Kuvendit se opozita e kërkon hetimin parlamentar për shtimin e votuesve në Qarkun e Kukësit për shkak se Edi Rama kërkon të prishë zgjedhjet.
Ministri i Brendshëm deklaroi se Edi Rama ka dhënë urdhër për këtë çështje. Ai u shpreh se proceset zgjedhore në Shqipëri kanë arritur standardet më të larta.
Noka deklaroi nga salla e Kuvendit se nuk ka asnjë ndërhyrje artificiale në listat e votuesve as në Kukës dhe askund tjetër.
Megjithatë Noka, që vjen nga Kukësi dhe pikërisht nga komuna me shtimin më të madh të votuesve në Shqipëri, nuk ka pranuar të bëjë transparencë për listat e votuesve, duke thënë se ato janë të dhëna private.
Vetë Noka e ka vendosur familjen e tij në dy palë lista votuesish, njëherë në Kukës dhe më pas në Tiranë e Durrës.
Noka deklaroi pak ditë më parë se nuk është faji i tij që burrat e Kukësit janë më shumë punëtorë, duke shtuar popullsinë.