Flamuri: Rama po poshtëron shqiptarët me emërimin e Saimir Tahirit si ministër (VIDEO)
Flamur Noka, ministri anekdotik i mazhorancës së shkuar, ka akuzuar kryeministrin e ri, se po poshtëron shqiptarët me emërimin e Saimir Tahirit në postin që mbahej pikërisht nga ai. Sipas Flamurit, Tahiri është një gjysmak dhe hajdut kasetofonash.
Zoti Rama i shndërrove nga ministra në drejtorë Bashkie, pasi je i bindur se do ju shërbejnë ju dhe klientelës tënde. Qytetarët kanë nevojë për projekte konkrete zhvillimi dhe integrimi. Ju i servirni shqiptarëve si Ministër të Brendshëm një njeri të sëmurë, dhe që ka qenë kontingjent për hajdut kasetofonash dhe i cili shëtiste në fushatë me banda. Si mundet të jetë ministër, kur babai i tij u kap për kontrabandë ilaçesh dhe evazion fiskal? Ky është një poshtërim që i bëhet Policisë së Shtetit dhe shqiptarëve, tha Flamuri.
Tahiri iu përgjigj Nokës, duke thënë se e kupton shqetësimin e tij kur flet për shëndetin, pasi është një nga njerëzit që i ka zgjatur më shumë se kushdo studimet për mjekësi.
Kur deputeti mbante ligjëratë, një grua u vra në Durrës, një i plagosur në mes të Tiranës, tre të vdekur në rrugën e Kombit dhe një i plagosur në Kamzë. Kjo është kronika e pak orëve, megjithatë përpiqem ta kuptoj shqetësimin e parafolësit për familjen time dhe shëndetin tim, fundja është i vetmi që ka studiuar më shumë për shëndetësi në këtë parlament.
E filloi shkollën e lartë në kohën e diktaturës dhe e mbaroi me anëtarësimin në NATO.
Dua të besoj se parafolësi donte te shprehte shqetësimin e tij në kuadrin e shqetësimeve që mendja e tij ka në tërësi. Unë jam shumë mirë me shëndet, faleminderit, tha Tahiri.
