E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri Shqiptarngrihet mbi Durmitor

Ishte mbyllur me sukses ekspedita e disa alpinistëve të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik” për në majën e Kilimanxharos, malit më të lartë të Afrikës. Unë dhe vëllai im nuk kishim mundur të fluturonim drejt Tanzanisë, ndaj bashkë me familjen dhe dy mikesha nisëm një udhëtim për në Mal të Zi. Ishte hera e parë që unë shkelja në këtë vend fqinj, që nuk kërkon vizë, i pari vend ekologjik i botës.
Nisja në mal
Dielli sapo kishte lindur mbi qytetin e këndshëm të Zhabljakut, ku ne kaluam natën, por lartësia e madhe gati 1500 metra mbi nivelin e detit nuk e lejonte atë freski gati dimërore të largohej aq lehtë që me rrezet e para. Qyteti ishte ende në gjumë dhe kalimi mespërmes tij thuajse s’na ndeshi fare me kalimtarë, ndryshe nga mbrëmja që kishim kaluar kur qyteti gëlonte nga lëvizja e turistëve të shumtë. Rruga e mirëasfaltuar vazhdonte përtej parkut të qytetit, ku gjendej Liqeni i Zi dhe përfundonte në një pllajë plot bar, aty ku zakonisht kamponin alpinistët që ngjisnin malin. Gjithsesi edhe aty gjumi nuk kishte dalë ende dhe ne vazhduam të dy drejt njeë shtegu jo më të asfaltuar. Një pyll i dendur me bredha ngrihej mbi kokat tona. Aroma e lehtë e bredhave të malit kundërmonte rreth e përqark shtegut tonë. Veç një katërkëmbësh qimezi erdhi për të na shoqëruar në rrugën tonë drejt majës. Vlen të përmendet se shtehu ishte krejtësisht i shënuar me bojë të kuqe e të bardhë çdo 5 apo 10 metra larg njëra tjetrës, kështu që nuk ishte e vështirë të orientoheshe, pavarësisht hartës. Duke futur ushqimet në çantë dëgjuam hapat e disa personave që po vinin gjithë nxitim. Ishte nje grup prej mbi 10 alpinistësh çekë, që na dhanë disa përgjigje lakonike dhe vazhduan me hap të shpejtë drejt malit.
Para dy ditësh një alpiniste sllovake kishte humbur jetën tragjikisht, në përpjekje për të pushtuar një nga majat e Durmitorit. Nuk ishte diçka që kapërdihej lehtë, prandaj familja dhe miqtë me të cilët kishim bërë këtë udhëtim të bukur deri në këtë parajsë të Malit të Zi, fillimisht na ndaluan rreptësisht të shkonim. Pavarësisht përvojës që kishim në shoqatën e alpinizmit me ngjitje të ndryshme nëpër Shqipëri, këmbëngulja e tyre për jo, ishte mjaft e fortë dhe na lejuan vetëm nëse do të bashkoheshim me alpinistë të tjerë, për ta bërë bashkë ngjitjen. Ndërsa shihnim qenin besnik që po ndiqte shtegun me ne, ndieheshim me ndërgjegje të qetë para prindeërve, pasi ishim bërë 3 vetë. Donim ta realizonim ëndrrën tonë me çdo kusht, pasi ishim të bindur që do t’ia arrinim qëllimit. Orë të tëra në internet duke parë fotografitë e malit më kishin mpirë arsyen dhe zellin për të studiuar. Kisha “sakrifikuar” le të themi disa nota provimesh një muaj më parë, sepse mendoja që duke ngjitur një mal në një shtet të huaj, do të ndjehesha i përmbushur…
Në Lokvice takuam një çift spanjoll, që kishte kampuar dhe si ne do të ngjisnin majën. Pastaj fola me një bari shtatlartë, të cilit i dhurova të vetmin stilolaps që kisha, nga gëzimi që pashë banorë në atë vend thuajse hyjnor. Më pas na shfaqet përsëri një grup turistësh, me të cilët bëjmë një bisedë të shkurtër dhe vazhduam ngjitjen tonë zig-zage, tashmë drejt një honi të mprehtë që arrinte lartësinë 2100m. Ishte një shteg i pjerrët dhe i stërmundimshëm. Ngjitja po vështirësohej, kurse dielli sa vinte dhe forconte rrezatimin e tij, duke na detyruar të ndaleshim shpesh për të ndërruar bluzat që kullonin djersë. Megjithë etjen për ujë, që mundoheshim ta mirëmenaxhonim dhe vështirësitë e ndryshme që hasnim rrugës, dëshira për të kapur majën e Durmitorit ishte e pandalshme, ashtu sikurse dëshira për të fotografuar ato perla të natyrës. Përfytyroja veten si do të ndiehesha aty lart, kur t’ia arrija qëllimit e të më dukej sikur kisha gjithë botën nën këmbë. Ngjante sikur mali po na sprovonte duke na thënë “vallë a jeni aq të fortë sa për të më mposhtur mua”? Por edhe bora e ngrirë nuk përbënte problem për ne, pasi kisha blerë shkopinj metalikë alpinizmi që na ndihmonin të ruanim barazpeshën. Ndërkohë hasnim gjithmonë e më tepër turistë e alpinistë nga vende të ndryshme, me të cilët përshendeteshim përzemërsisht. Kur arritëm në qafën që të lidhte me majën, nxorra hartat nga çanta; një satelitore dhe një fizike me shkallë të madhe. Kryem një pushim të shkurtër nën diellin që po na skuqte lekurën dhe vazhduam ngjitjen, duke ecur gjithnjë sipas shenjave mbi shkëmb. Tani përpara nesh dukej magjishëm vetëm maja e thepisur e Bobotovit dhe pak më poshtë një hapësirë të gjerë, të mbuluar me akull e dëborë, që ende s’qe shkrirë, në një kreshtë me pjerrësi të lartë. Pas qafës mundëm të shikonim një horizont shumë më të gjerë drejt jugut dhe falë motit të kthjellët, syri na kapi alpet tona dhe majën e Jezercës. Faqja e pasme e malit qe edhe më e rrëpirtë, por gjithsesi me gjelbërim dhe në fund të një lugine, shtrihej një liqen i vogël ngjyrë blu. Kishim edhe pak ngjitje shkëmbore për të kapur majën. Njerëzit sikur shtoheshin; disa ngjiteshin sikundër ne, të tjerë zbrisnin me pamje të hareshme. Disa dhjetëra metra para majës shtegu ngushtohej dhe behej më i vështirë, ndaj një çift italian që takuam aty, na këshilloi të linim çantat përtokë dhe të vazhdonim më të lirshëm, pasi ngjitja kërkontë dhe pak kacavarrje dhe duheshin përdorur duart. Atë pjesë që ngjante me në kullë shkëmbore e ngjitëm më emocion, pasi e dinim se do të shkelnim mbi majë. Ora ishte 13:15 kur vumë këmbët mbi 2523 metra lartësi. Nuk ekzistojnë dot fjalët për të përshkruar atë që ndjeva. Zemra e truri m’u bënë njësh, mendje dhe shpirt në një të vetme për të adhuruar atë që Nëna Natyrë kishte krijuar. Më dukej sikur edhe unë merrja një copëz Zoti, tani që shihja të katër anët e horizontit. Kurse aty rrotull shihje vetëm njerëz të lumtur, çekë, polakë, hollandezë, francezë, austriakë, kanadezë dhe dy vëllezër shqiptarë, që mbanin në duar një flamur kuqezi. Nuk rreshtnim së bëri fotografi dhe aty lart, për të fiksuar ato çaste të rralla. Bukuria e këtij mali ishte e jashtëzakonshme dhe duhet pranuar se qëndronte mbi malet tona, për nga tërësia e natyrës dhe larmisë së asaj që ofronte. Ishte hera e parë në jetën time që isha aq i lumtur dhe shikoja përfaqësues të shumë popujve të mbledhur bashkë, duke gëzuar në unitet. Sikur e gjithë bota të jetonte atë lumturi që përjetohej aty në majën e Durmitorit.
Mikel Zavalan
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›