E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri i Serbisë në qendrat e votimit

(E plotësuar)Përkundër paralajmërimeve të Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë për serbët në vend, se në qendrat e votimeve nuk do të ketë simbole serbe, ato janë parë në disa prej këtyre qendrave, raporton Kosovapress.

Një burim i kësaj agjencie ka bërë të ditur se në qendrën e votimit në shkollën fillore “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës, pranë shenjës së OSBE-së ka qenë i vendosur edhe flamuri i shtetit të Serbisë.

“Flamuri serb është shpalosur në mëngjes edhe në Zubin Potok në shkollën fillore ‘Jovan Cvijiq’, por që pas një ore është hequr”, ka thënë burimi.

Ai më tej ka shtuar se pjesëtarët e OSBE-së në Zubin Potok janë në dijeni për mbajtjen edhe të zgjedhjeve lokale nga serbët e këtushëm, por janë duke i injoruar ato.

Po ashtu edhe në qendrën e votimit në Graçanicë, pranë flamurit të OSBE-së, është i vendosur edhe ai i Serbisë.

Pjesëmarrje e lartë në Graçanicë dhe Llapna Sellë

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer, ka vizituar vendvotimet në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet e Serbisë thuhet të jetë e lartë.

“Gjithçka po zhvillohet në mënyrën më të mirë. Njerëzit votojnë. Kur kemi arritur në Graçanicë, ka pasur disa votues; kur jemi kthyer, ka ardhur një grup i tërë. Në Llapna Sellë ka pasur tollovi para vendvotimeve”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikolla Goan.

Po nga ky mision thonë se, deri më tash, nuk janë shënuar raste të votimeve për zgjedhjet lokale të Serbisë, në lokacionet ku po mbahen ato parlamentare dhe presidenciale.

“Ne e kemi bërë të qartë se çdo përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në lokacionet ku OSBE-ja mundëson votimet për parlamentin dhe presidentin e Serbisë, do të paraqiste shkelje serioze të marrëveshjes. Dhe, deri të një situatë e tillë nuk ka ardhur”, ka thënë Goan.

Rreth 109,000 qytetarë serbë të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që po lehtësohen nga OSBE-ja. (rel)

Policia me dy opsione për zgjedhjet lokale serbe

Nga Policia e Kosovës në Mitrovicë kanë thënë se nuk kanë vërejtur organizim të zgjedhjeve lokale serbe në veri, ndonëse autoritetet e rendit nuk janë të njoftuara se ku saktësisht mund të mbahen.

“Ne kemi dy opsione – ose do të reagojmë dhe do të ndalojmë mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ose do t’i injorojmë plotësisht si ngjarje inekzistente – varësisht nga situata”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Është e rëndësishme që në vendet e ligjshme, ku është OSBE-ja – nëse aty ka përpjekje për të mbajtur zgjedhjet lokale, atëherë ato vendvotime do të mbyllen dhe procesi do të shpallet i përfunduar”, ka thënë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të marrëveshjes me OSBE-në, në disa pjesë të Kosovës sot mbahen vetëm zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Megjithatë, disa përfaqësues ilegalë të serbëve kanë thënë se lokalet do të mbahen edhe në Zubin Potok dhe Zveçan, me gjithë vërejtjet e Beogradit. (rel)

Serbët e veriut po votojnë edhe në nivelin lokal

Votimet presidenciale dhe parlamentare serbe në veri të Kosovës kanë filluar kryesisht me kohë dhe nuk ka pasur ndonjë incident, apo parregullsi.

Në veri të Mitrovicës ato janë duke u zhvilluar në shkollën e mesme teknike “Mihajllo Petroviq Allas” dhe në shkollën fillore “Shën Sava”.

Burime të Kosovapress-it nga veriu bëjnë të ditur se në Zveçan qytetarët kanë filluar të votojnë edhe në nivelin lokal.

Sipas këtyre burimeve, këto zgjedhje janë duke u mbajtur në objektin e shkollës së mesme në Zveçan, pastaj në vilën “Jelen” në Zherovnicë, si dhe në një shtëpi private në fshatin Rudare.

“Në rast të identifikimit nga ana e ndërkombëtarëve të këtyre vendeve, zgjedhjet lokale do të vazhdojnë në objektet rezervë për të cilat do të informohen menjëherë votuesit”, kanë thënë burimet.

Mësohet se edhe në komunën e Zubin Potokkut janë duke u zhvilluar zgjedhjet lokale, por akoma nuk është arritur të identifikohen vendvotimet, për shkak se strukturat paralele kanë ndryshuar gjatë natës strategjinë e tyre.

Ndryshe, përfaqësues të komisioneve zgjedhore komunale në dy komunat veriore të vendit, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë vendosur që për shkak të mos rrezikimit të procesit të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare, zgjedhjet në nivelin lokal t’i mbajnë në hapësira tjera nga ato në të cilat do të mbahen zgjedhjet për kryetar dhe deputetë të Serbisë.(Kosovapress)

Votimet serbe, nuk ka incidente

Policia e Kosovës ka njoftuar se sa i përket aspektit të sigurisë, nuk është shënuar asnjë incident në asnjë lokacion të Kosovës, ku po mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, raporton Kosovapres.

Zgjedhjet serbe në Kosovë janë duke u mbajtur në pesë rrethe, ndërsa misioni i OSBE-së në Kosovë, organizon zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, por nuk ka mbështetur ato lokale.

Sipas zyrtarëve të këtij misioni, votimet janë hapur kryesisht më kohë dhe nuk ka pasur ndonjë incident, apo parregullsi, përveç disa problemeve teknike.

Ndryshe, sot në Serbi janë duke u mbajtur zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe ato të pushtetit lokal.

OSBE hapë të gjitha vendvotimet për serbët

Të gjitha 90 vendvotimet e OSBE-së në Kosovë janë hapur sot deri në orën 08:15.

“Kam kënaqësinë të raportoj se të gjitha 90 vendvotimet në 28 lokacione janë hapur këtë mëngjes”, ka thënë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Uerner Almhofer.

“Kishte pak vonesa të natyrës teknike në disa lokacione, por të gjitha tash janë zgjidhur”, ka sqaruar ai.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka mundësuar që qytetarët serbë të Kosovës të ushtrojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Serbia voton në zgjedhjet e përgjithshme

Serbia, në orën 7 të mëngjesit, ka hapur vendvotimet, në të cilat 6,770,013 qytetarë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhje të përgjithshme.

Ata do të zgjedhin 250 deputetë të Parlamentit të ri Republikan, 120 deputetë të Kuvendit të Vojvodinës, përfaqësues dhe këshilltarë komunalë, si dhe presidentin e vendit.

Në mesin e 12 kandidatëve presidencialë janë Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikolliq ata që thuhet se kanë më shumë gjasa për t’u përballur në balotazh.

Megjithatë, analistët thonë se kampi pro-evropian i Tadiqit ka më shumë shanse se blloku nacionalist i Nikolliqit të formojë koalicionin e ri qeverisës.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve pritet të publikojë rezultatet finale të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në afat prej 96 orësh nga mbyllja e kutive të votimit, por deri atëherë do të dalë me rezultate preliminare.

Në bazë të marrëveshjes me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, qytetarët serbë të Kosovës do të votojnë për presidentin dhe parlamentin e Serbisë.

Të drejtë vote kanë 109,000 serbë të Kosovës dhe do të votojnë në 28 lokacione dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës.

Serbët e veriut, megjithatë, janë zotuar se do të mbajnë edhe zgjedhjet lokale, pavarësisht mungesës së mbështetjes nga Qeveria serbe dhe kundërshtimeve të ashpra të ekzekutivit kosovar.

Përfaqësuesit ilegalë të veriut kanë thënë se lokalet do t’i mbajnë ndarazi nga ato parlamentare dhe presidenciale.

OSBE-ja ka theksuar se nuk do të lehtësojë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë. (rel)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›