E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe Tajlanda së shpejti lidhin marrëdhëniet diplomatike

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës në Tajlandë ka zhvilluar shumë takime me përfaqësues të Qeverisë së Mbretërisë së Tajlandës, shoqërisë civile dhe me shumë diplomatë dhe përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Një takim të veçantë, ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Tajlandës, Jullapong Nonsrichai.

Ministri Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mbretëria e Tajlandës dhe nga shtetet tjera të Azisë.

“Procesi i njohjes së Republikës së Kosovës është i pakthyeshëm. Me njohjen e Kosovës, Mbretëria e Tajlandës dhe shtetet tjera të Azisë do të kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër zëvendësministri Nonsrichai ka siguruar ministrin Hoxhaj se shumë shpejt të dy vendet do të lidhin marrëdhënie diplomatike.

Në këtë takim është diskutuar edhe për fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe Qeverive në të ardhmen.

Një takim tjetër, ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të Medieve, ambasadorë dhe shumë personalitete të jetës politike dhe publike të Tajlandës.

Një ditë më parë, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtëm të Mbretërisë së Tajlandës, Surapong Tovichakchaikul, ministri Hoxhaj ia ka dorëzuar kërkesën zyrtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Mbretërisë së Tajlandës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›