E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro” në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Shqipëria parakaloi mbrëmjen e sotme në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku përfaqësohet me katër sportistë në disiplinat e skive, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga parakalimi i sportistëve shqiptarë dhe të valëvitjes së flamurit kuqezi, ndërsa iu uroi suksese skiatorëve.

“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026”, shkruan Rama.

Ceremonia kryesore hapëse u zhvillua në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano, ndërsa dy ceremoni të tjera paralele u mbajtën në zona të ndryshme, për shkak të shpërndarjes së sportistëve sipas garave.

Në Cortina d’Ampezzo, flamurin kuqezi e ka mbajtur skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, e cila ka udhëhequr delegacionin shqiptar në këtë qytet simbol të sporteve dimërore. Ndërkohë, në Livigno, flamurin e Shqipërisë e ka mbajtur skiatori Denni Xhepa, duke përfaqësuar vendin në ceremoninë e zhvilluar aty.

Shqipëria merr pjesë në këtë edicion të Olimpiadës Dimërore me katër skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti, të cilët do të kërkojnë medaljen e parë historike për vendin tonë në një Olimpiadë Dimërore.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›