Flamurtari – Partizani, finalja e Kupës së Shqipërisë

Flamurtari – Partizani është finalja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, e cila këtë të enjte, duke nisur nga ora 16:00, do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Një çift i zakonshëm tanimë që diskuton çdo trofe në basketbollin e vajzave. Kështu ka ndodhur në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Basketbollit, fituar nga vajzat vlonjate 72-70, dhe kështu ka ndodhur dhe në Superkupën e Shqipërisë, atje ku triumfoi Partizani, 77-74.
Në raundin gjysmëfinal, Flamurtari ka mundur me lehtësi Vllazninë, 74-57. Gjë të cilën e bëri dhe Partizani, që fitoi ndaj Tiranës, 79-62. Dy gjysmëfinale që gjithsesi kanë dhuruar emocione dhe rivalitet, ndërsa si Flamurtari, ashtu dhe Partizani kanë përmbysur në pjesën e dytë.
Duke qenë se Vlora është Kryeqyteti Europian i Sportit për vitin 2024, atëherë pjesë e veprimtarive do të jetë dhe basketbolli. E kjo jo vetëm me Kupën e Shqipërisë, fituesja e së cilës shpallet të enjten pasdite.