Flamurtari “bekon” në Laç arratinë në krye
Flamurtari mposht Laçin dhe nis arratinë në krye të superligës, duke e shtuar përkohësisht me 3 diferencën me Skënderbeun e vendit të dytë. Janë 8 pikë diferencë mes dy skuadrave, por korçarët kanë një ndeshje më pak dhe atë do ta zhvillojnë ditën e diel në fushën e Kastriotit. Sidoqoftë, vlonjatët kanë arritur të dalin me xhepat plot nga një transfertë ku është e zorshme të arrish qoftë një barazim. Por duket se kuqezinjtë e drejtuar nga Gugash Magani kanë patur me vete atë përqindje të nevojshme agresiviteti për të përballuar me sukses një transfertë si ajo e Laçit. Ka mjaftuar një gol i realizuar nga Daneil Xhafaj, në minutën e 61-të, pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, ku ka marrë pjesë edhe Ahmataj, që Flamurtari të shtojë edhe 3 pikë të tjera në llogarinë e vet, në kuadrin e ndeshjes së javës së 19-të. Konkretisht, ndeshja Laçi-Flamurtari ka ngritur edhe siparin e kësaj jave, e cila do të vijojë me ndeshjet e tjera në dy ditët në vijim, të shtunën dhe të dielën. Dy ndeshjet Vllaznia-Shkumbini dhe Bylis-Dinamo i përkasin së shtunës, ndërsa të dielën do të përmbyllet kjo javë me tri sfida të tjera, respektivisht Kastrioti-Skënderbeu (do të luhet në Vlorë), Tirana-Besa (do të luhet në “Selman Stërmasi”) dhe Elbasani-Teuta. Tashmë, skuadra kryesuese, që nga fillimi i këtij kampionati, Flamurtari, ka nisur të arratiset nga ndjekësit më të afërt, konkretisht nga Skënderbeu, prej të cilit ka krijuar një distancë +8 pikëshe. Kujtojmë se vlonjatët kanë një ndeshje më tepër për momentin, këtë të javës së 19-të, ndërkohë që korçarët duhet ta luajnë atë të dielën. Për t’u evidentuar është fakti se kuqezinjtë e Vlorës janë të pathyeshëm jo vetëm në fushën e tyre, por edhe në transfertë, aty ku rivalët kryesorë të tyre, korçarët, kanë treguar shumë probleme.