E Diel, 1 Nëntor 2026

Josip Kuzhe thërret ‘nën armë’ 20 lojtarë, mungon Ervin Skela

SHKRUAN: Jeton Selimi 05-02-2011 10:55

Ervin Skela nuk është grumbulluar nga trajneri Josip Kuzhe për miqësoren e 9 shkurtit kundër Sllovenisë, ndeshje që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Situata e fantazistit të kombëtares sonë nuk është aspak e mirë, teksa së fundmi ai ka firmosur me një ekip të divizionit të pestë të Gjermanisë, pasi nuk arriti dot të gjente një skuadër ku të luante. Fakti se Kuzhe e ka lënë jashtë për këtë miqësore, të bën të dyshosh për një mbyllje të aventurës kuqezi për Ervin Skelën. Por në federatë këmbëngulin se kjo nuk është aspak një mbyllje dere për Skelën, por vetëm një shkëputje e momentit për të parë nëse ai do të arrijë të luajë në nivele të larta pas këtyre muajve. Tjetër mungesë nga miqësorja e fundit është edhe ajo e mesfushorit Jahmir Hyka, i cili së fundmi ka arritur të sistemohet te Tirana pas shumë peripecive në kampionatin gjerman dhe atë grek.

Megjithatë, nuk është vetëm listë përjashtimesh, por edhe rikthimesh. Kështu, pas shumë muajsh rikthehen në kampin kuqezi Arjan Beqaj dhe Edmond Kapllani. Portieri veteran i Ermios dhe sulmuesi i Paderbornit, kanë munguar për arsye të ndryshme. I pari ka qëndruar larg për shkak dëmtimi, ndërsa i dyti për zgjedhje të trajnerit Kuzhe, që tani duket se ka vendosur t’i japë edhe një shans ish-goleadorit të para tre sezoneve.

Përsa i përket pjesës tjetër, nuk ka surpriza. Janë po ata që janë thirrur edhe në grumbullimin kundër Maqedonisë, vetëm se kësaj radhe do të jenë prezentë edhe Bogani (që refuzoi anti-Maqedoninë) dhe Cana (që u dëmtua pak ditë para ndeshjes së Korçës). Në mbrojtje do të jenë Lila, Dallku, Vangjeli, Vrapi, Agolli e Teli, pa llogaritur spostimin e mundshëm të Lorik Canës në prapavijë. Në mesfushë do të jetë kapiteni Altin Lala, që do ta ndërtojë repartin me Bulkun, Duron, Ledion Memushaj, Gilman Likën, Vilën dhe Muzakën. Sulmi do të jetë të zakonshmit Bogdani e Salihi, që do të kenë si alternativë Bakajn e Kapllanin.

Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të bëhet nesër në Durrës, në hotel “Dyrrah”. Stërvitjen e parë kuqezinjtë do ta zhvillojnë vetëm ditën e hënë në Kavajë, ndërsa të fundit më datë 8 në stadiumin e Besës, po në Kavajë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›