Flamurtari, trepikëshi i radhës

Flamurtari vazhdon serinë e fitoreve, teksa një të tretë radhazi e ka arritur edhe në javën e katërt të kampionatit të Kategorisë së Parë. Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen e luajtur me Besën, e cila të shtunën në mesditë, pikërisht nga stadiumi i qytetit bregdetar të Vlorës, ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Vlonjatët e kanë zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë. Kështu fillimisht Juri, kjo në të 25’, ka shndërruar në gol penalltinë që kishte fituar Metani, ndërsa lojtari kuqezi është penguar nga Osma dhe Kotemelo nuk ka falur duke drejtuar dorën tek pika e bardhë e penalltisë. Flamurtari ushtron presion, ndërsa Metanit i është anulluar goli në të 27’, kjo për pozicion jashtë loje. E megjithatë skuadra kuqezi e gjen dhe golin e qetësisë, që mban firmën e De Oliveiras, që në të 33’, thuajse në pozicion diagonal me portën kavajase, e ka dërguar topin në rrjetë. Besa është inekzistente dhe në pjesën e parë shfaqet në portën vlonjate vetëm në të 37’ e kjo në një goditje dënimi, të cilën e ka pritur Moçka pas gjuajtjes së Peres.
Edhe në pjesën e dytë, pavarësisht ndërrimeve të shpejta të Maganit tek kavajasit, Flamurtari është përsëri imponues në lojë. Pjeshka i afrohet golit të tretë në të 72’, por frenohet nga grushtimi i portierit kavajas. Onuh është ai që mund të kishte hapur ndeshjen, kjo nëse do të ishte treguar i saktë në të 78’, teksa i ka shmangur të gjithë, por nuk arrin ta çojë topin në rrjetë, sepse Disha ndodhet mbi vijën “fatale” të portës vlonjate. Kamarko dhe Erik Flores nuk shënojnë në të 86’ dhe në vërshëllimën e fundit të Ervin Kotelemos, Flamurtari i gëzohet fitores, që e ngjit në kuotën e shtatë pikëve, kurse Besa pëson humbjen e dytë radhazi.
Në përfundim të ndeshjes, për mikrofonin e RTSH Sport, kanë ardhur trajnerët e të dy skuadrave, Troisi i Flamurtarit dhe Magani i Besës.
“Për ne ishte shumë e rëndësishme që të vazhdonim serinë e fitoreve. Kemi hyrë në pjesën e parë me idenë që të shënonim sa më shpejt dhe ia arritëm qëllimit. Në pjesën e dytë, edhe për shkak të ngarkesës së ndeshjeve, ishte normale që të kishte rënie. Por gjithsesi ne e morëm trepikëshin dhe jam i kënaqur me paraqitjen e të gjithë lojtarëve”, tha Troisi në fund të ndeshjes
“Kemi bërë një pjesë të parë shumë të dobët. Ndërhymë në fushën e lojës me zëvendësime. Madje në fundin e pjesës së dytë edhe jemi hedhur në aventurë. E nëse do të kishim shënuar më parë, mundet të kishim marrë rezultatin e duhur. Kemi patur një sërë problemesh, veçanërisht me të dëmtuarit, që shpresoj të kthehen javën e ardhshme. Nuk jemi brenda pritshmërive, edhe pse besoj tek kjo skuadër. Por që është e re dhe do kohën e vet për t’u ingranuar”, nënvizoi Magani në fund të ndeshjes.