E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtarit i mjafton një gol për vetminë në krye, Besa s’ka as fat

Ndeshja Goli i Devollit shkëput vlonjatët 3 pikë nga Skënderbeu. Kavajasit ankohen

Flamurtarit i mjaftoi një gol i shpejtë i Bledar Devollit në fitoren minimale 1-0 ndaj Besës së vendit të fundit, për të rimarrë i vetëm kryesimin e Kategorisë Superiore në mbyllje të javës së 14. Kjo ishte autokritika më e mirë pas humbjes 2-1 në kampionat me Tiranën (2-1, java 13) dhe eliminimit nga Bylisi në Kupën e Shqipërisë. Edhe rezultati i fitores së djemve të Gugash Maganit ka qenë minimal, por njëkohësisht shumë i rëndësishëm për të ruajtur hapin e kreut, ndërsa ka rezultuar fatal për Besën, e cila nuk po mundet t’i shmanget vendit të fundit në tabelën e klasifikimit. Takimi i luajtur dje në Vlorë ka rezultuar shumë i fortë për vendasit, të cilët e kanë vuajtur jo pak presionin e ruajtjes së kreut, kanë vuajtur jo pak karshi kavajasve. Fati ka qenë në anën e vlonjatëve, të cilët kanë shënuar një gol të shpejtë me Devollin pas vetëm 5 minutash lojë (i pari në 13 ndeshje për gjirokastritin), i ka ardhur në ndihmë Flamurtarit për të dalë nga ngërçi psikologjik, pas humbjes në kampionat me Tiranën dhe eliminimit nga Bylisi në Kupën e Shqipërisë. Për të mos u nënvlerësuar ka qenë edhe loja e kavajasve të drejtuar nga Gerti Haxhiu. Ata janë paraqitur me dinjitet në këtë transfertë, kanë tentuar gjithçka për të mos dalë duarbosh, por goli i Devollit ka mbetur përcaktues. Sulmi i miqve ka pasur probleme jo vetëm me shënjestrën, por edhe me faktin se mbrojtja vlonjate ka qenë thuajse e pakalueshme. Besës si duket i mungon edhe fati. Në minutat e fundit të takimit, sipas pretendimit të kavajasve, kanë mundur të shënojnë një gol, por gjyqtari nuk e ka quajtur, pasi sipas këtij të fundit, topi nuk e kishte kaluar vijën fatale. Me këtë fitore, që është edhe e dhjeta sezonale për skuadrën e Maganit, Flamurtari merr edhe 3 pikë të tjera të çmuara, duke ruajtur diferencën me Skënderbeun, që ka 3 pikë më pak se vlonjatët. Javët në vazhdim të kampionatit do të tregojnë më mirë se cili do të jetë fati i kreut të Superiores, i cili po mëtohet më së shumti nga dy skuadra, Flamurtari dhe Skënderbeu, ndërkohë që Dinamo kampione e shikon veten të përfshirë nga kriza. Në këtë grup skuadrash mund të llogaritësh edhe Vllazninë dhe Tiranën, që nga ndeshja në ndeshje kanë treguar rritje në lojën e tyre, kanë marrë edhe rezultate pozitive. Ndërsa Besa, nënkampione e sezonit të kaluar në këtë edicion, ka humbur gjysmën e takimeve, pra 7 në 14 ndeshje të luajtura.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›