E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIFF, homazh për Claude Chabrol

Festivali Një film dokumentar për regjisorin dhe aktorin francez

Një ceremoni e çeljes, shfaqja e filmit “Queen to play” i regjisores Carolline Bottaro dhe më tej një bllok i filmave të shkurtër në konkurrim kanë shënuar ditën e parë të edicionit të tetë të “Tirana International Film Festival”. Dita e dytë nis që në orën 9 të mëngjesit në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes. Paraditja do t’i kushtohet programit të filmave të shkurtër, ndërsa në orën 16.00 do të shfaqet filmi dokumentar “Claude Chabrol: The free Child” (Claude Chabrol, fëmija i lirë) i Jan Bernard Thomasson, i cili ka qenë inxhinier zëri në 13 filma të regjisorit dhe aktorit francez. Organizatorët kanë menduar t’i kushtojnë një program homazh babait të Nouvelle Vague. Po në këtë kuadër është i ftuar edhe producenti Jean-Philippe Laroche. Hera e fundit ku ai u shfaq si aktor ishte pikërisht në filmin “You Should Make Movies”, i cili mori dhe çmimin e publikut në TIFF 2003. Bir i një farmacisti, Claude Chabrol ka lindur në Paris më 24 qershor të 1930-s. Debutimin e tij në kinema Claude e ka bërë në moshën 12-vjeçare si projeksionist në një garazh në një fshat të vogël. Chabrol studion drejtësi dhe me natyrën e tij prej shakaxhiu shkruan dedikime false të Hemingway dhe Faulkner, të cilat arrin t’i shesë me çmime të mira. Ende shumë i ri martohet me një trashëgimtare të pasur, gjë që i krijon mundësinë të realizojë filmat e tij të parë: “Serge i mirë” (1958) dhe “Kushërinjtë” (1958) me Jean-Claude Brialy. Një vit më vonë xhiron “Gra të lehta” (1959), ku interpreton Stephane Audran, një nga aktoret e preferuara të regjisorit francez që do të bëhet më pas edhe gruaja e tij. Filmi pritet keq nga publiku, ndërsa realizimi i radhës “Les godelureaux” (1960) e çon në dëshpërim të plotë. As filmi “Landru” (1962), me skenar të Françoise Sagan nuk arrin ta nxjerrë Chabrol nga situata e rëndë në të cilën ndodhej. Atëherë regjisori francez zgjedh të realizojë filma spiunazhi të mbushur plot humor, në përpjekje për të shfrytëzuar suksesin e James Bond. Popullariteti i tij vjen e rritet në publik në vitin 1968 me filmin “Les Biches”, ndjekur në vazhdim nga filmi “Stephane, një grua jo besnike”, “Do vras një burrë”, me të cilët krijon stilin e tij të veçantë duke e çuar këtë zhanër në përditshmërinë e borgjezisë së provincës. Aktiv si regjisor, skenarist dhe aktor, Chabrol u nda nga jeta më 12 shtator të këtij viti. Së bashku me Truffaut, Godard, Rivette dhe Rohmer, konsiderohet si një nga baballarët e Nouvelle Vague.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›