Florjan Binaj pas vendimit për Veliajn: Tirana ka nevojë për ndryshim, unë do të kandidoj kurdo që të mbahen zgjedhjet

Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi shkarkimin e Kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Binaj theksoi se thelbi i problemit për qytetarët e Tiranës mbetet nevoja për ndryshim dhe qeverisje të ndershme.
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë,” u shpreh ai.
Duke e shkëputur veten nga betejat politike dhe ligjore, Binaj e përkufizoi kandidaturën e tij si një përpjekje qytetare për të përmirësuar jetën në kryeqytet, duke e bërë atë një shtëpi më të mirë për të ardhmen.
“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë,” theksoi Binaj.
Ai shtoi se mbështetja e marrë nga qytetarët e Tiranës e ka bindur që “rrugëtimi i tij vazhdon” dhe se “ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.”
/rtsh.al/