Flota e re e ambulancave forcon sistemin penitenciar shqiptar, Drejtoria e Burgjeve pajiset me 15 ambulanca

Sistemi penitenciar në Shqipëri ka bërë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit me shtimin e 15 autoambulancave të reja në flotën e tij. Kjo iniciativë u inspektua nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, gjatë një vizite në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, shpjegoi se financimi për këto automjete mjekësore të reja është bërë me një ndarje 50-50: gjysma nga fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe gjysma tjetër nga asetet e sekuestruara nga SPAK.
“Të gjitha ambulancat janë me kabinete të plotë mjekësor për ndihmën e parë mjekësore që mund t’i jepet çdo të dënuari dhe paraburgosuri,” theksoi Qose.
Ai bëri të ditur se flota e mëparshme e autoambulancave ishte e amortizuar, me vetëm tre automjete të trashëguara nga viti 2020-2021.
“Aktualisht kemi 15 autoambulanca të reja, të pajisura me teknologjinë më të avancuar, që i shtohen flotës moderne të automjeteve në sistemin penitenciar,” deklaroi Qose.
Ai sqaroi se 8 nga këto autoambulanca të reja janë mbështetur nga Agjencia e Aseteve të Sekuestruara, ndërsa 7 të tjerat janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Shpërndarja e këtyre autoambulancave të reja do të bëhet në disa institucione kyçe: Fier, Shkodër, Korçë, burgu 313, dhe spitali i Burgjeve. Gjithashtu, Institucioni i Shën Kollit, ku trajtohen të burgosurit me sëmundje të shëndetit mendor, do të pajiset me një nga autoambulancat e vitit 2020-2021.
Qose siguroi se janë marrë të gjitha masat që këto automjete të jenë plotësisht funksionale. “Autoambulancat do të kenë mjekë, infermierë, si dhe shoferë, të cilët do të marrin në dorëzim autoambulancat dhe do të shërbejnë në çdo institucion sipas shpërndarjeve,” përfundoi ai.
Gjatë vizitës, Ministri Manja inspektoi gjithashtu përfundimin e rikonstruksionit të palestrës dhe fjetoreve për Policinë e Burgjeve në Fier. Ai e cilësoi këtë si “një tjetër hap konkret drejt një sistemi më efikas, më të sigurt dhe më njerëzor.”
/rtsh.al/