Fluks emigrantësh në Kakavijë, pala greke punoi me 1 sportel
GJIROKASTER - Radhë të gjata emigrantësh janë shfaqur në Kakavijë mëngjesin e të shtunës. Për gati 10 orë rresht kanë qëndruar të bllokuar mbi 3 mijë emigrantë shqiptarë, në pritje për të hyrë në territorin tonë. Prej orës 23:00 të së premtes kur u shfaqën anomalitë e para në radhë nga pjesa greke e deri në orët e drekës së të shtunës, kanë kaluar në drejtim të Shqipërisë mbi 7 mijë emigrantë si dhe mbi 1500 automjete. Në tokën greke radha ka mbërritur deri në 1.5 km dhe është evituar në orët e mesditës falë ndërhyrjes së krerëve të policive respektive kufitare. Shkaku i radhës së gjatë të automjeteve me emigrantë që prisnin, ishte se kontrollorët grekë punonin me 1 sportel në dalje të territorit të tyre. Deri në orën 12:00 karvani i makinave, në pritje të kalonin në Shqipëri ishte deri në 1.5 km. Mjaft të revoltuar karshi autoriteteve greke policore të Kakavijës, emigrantët kanë shprehur pakënaqësinë për veprimet, që sipas tyre, janë tërësisht të paramenduara nga ana e autoriteteve helene me qëllim krijimin e konfuzionit në një mot të nxehtë. Situata u përmirësua dukshëm në orët e vona të drekës disa orë pas takimit bilateral të policive kufitare greke dhe shqiptare, pikërisht për të zgjidhur këtë situatë të diktuar nga funksionimi i një sporteli të vetëm. Në takimin me homologun e tij grek, drejtori i Policisë Rajonale Kufitare të Gjirokastrës Vasil Valera, ka diskutuar për gjetjen e mënyrave efeciente në raste të tilla, që do të lejonin kalimin pa problem dhe eliminimin e radhëve për emigrantët shqiptarë. Komandanti grek i Policisë së Kakavijës pas këtij takimi ka lejuar shtimin e sporteleve deri në shtatë të tillë çka janë dhe kapacitetet reale. Ndërsa nga pjesa shqiptare e Kakavijës nuk janë konstatuar radhë të gjata, pasi ishin marrë masa në vënien në efeciencë të 13 sporteleve, përfshirë edhe ato në dalje të territorit tonë. Fluks të ardhurish për pushimet e verës mendohet të ketë edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërkohë që rikthimi në Greqi i emigrantëve në vendet e tyre të punës pritet të fillojë si zakonisht në javën e katërt të gushtit. p.n