Fluks pacientësh nga gripi në Urgjencën e Fierit, mbi 120 raste në ditë

Mbi 120 të rinj dhe të moshuar paraqiten çdo ditë për ndihmë mjekësore në urgjencën e Spitalit Rajonal Fier si pasojë e virozave sezonale dhe gripit duke krijuar një fluks të lartë pacientësh.
Mjekja Ilva Çuni bën me dije se grupmoshat më të prekura janë 15-25 dhe 70-80 vjeç ku nuk kanë munguar dhe fatalitetet.
“Kemi pasur një sezon të ngarkuar, sidomos gjatë muajit nëntor dhe dhjetor. Simptomat më të shpeshta janë temperatura dhe kolla e thatë. Grumposhat më të prekura kanë qenë 15-25 vjeç dhe grupmosha 70-80 vjeç”, thotë mjekja.
Po sipas mjekes Çuni, në pikun e gripit në muajt nëntor dhe dhjetor, numri i vizitave ditore arriti në 160 në 24 orë, ndërkohë që ka theksuar se janari ka shënuar rekord qytetarësh që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencën e Fierit, ku numri i tyre ka arritur në 4 mijë.
Ajo ka theksuar gjithashtu se gripi i sivjetshem krahasuar me vitin e kaluar është karakterizuar nga një kohëzgjatje më e madhe e simptomave, dhe rikthim i tyre pas një periudhe përmirësimi disa- ditor.
“Është vënë re që viroza, krahasuar me vitin e kaluar ka zgjatur më shumë dhe me simptoma që janë rikthyer”, sqaron mjekja.
Më të prekur nga gjendjet virale kanë qenë të sëmurët kronikë të cilët janë hospitalizuar ndërkohë që mjekja Çuni ka bërë thirrje për vëmendje të shtuar në përdorimin e antibiotikëve, të cilet duhet të përdoren vetëm me rekomandimin e mjekut të familjes.
Ndërkohë përballë kësaj situate, Çuni ka apeluar për të gjithë adoleshentët e prekur nga gjendjet gripale, të mos frekuentojnë shkollat, por edhe të shmangin ambientet publike.
“Rekomandojmë të mos përdorin antibiotikë në mënyrë abuzive, pa bërë një konsultë me mjekun e familjes. Adoleshentët rekomandohen të mos frekuentojnë shkollat dhe ambientet publike”, thotë mjekja.
Pavarësisht fluksit të lartë të pacientëve, Urgjenca e Spitalit Rajonal të Fierit, ndodhet në gatishmëri të plotë me personel të mjaftueshëm për të përballuar nevojat e qytetarëve për ndihmë mjekësore ndryshe nga vitet e kaluara kur mungesa e mjekëve ka bërë që mbingarkesa të përballohet me vështirësi./vizionplus.tv