Flukset e turistëve në Gjirokastër, gjallërohet artizanati dhe rriten investimet familjare në fshatra

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Gjirokastra vijon të shënojë rritje të interesit nga turistët vendas dhe të huaj, të cilët krahas trashëgimisë kulturore po zbulojnë edhe peizazhet natyrore, traditat dhe zonat rurale të saj.
Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, në një intervistë për ATSH-në bëri të ditur se “përgjatë muajit korrik u regjistrua një rritje e interesimit të turistëve vendas dhe të huaj për të vizituar vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit të Gjirokastrës, por edhe për të prekur nga afër peizazhet natyrore dhe traditat e pasura të fshatrave dhe zonave rurale”.
Golemi bën të ditur se “prej fillimit të vitit janë mbi 150 mijë turistë, të cilët e kanë përfshirë territorin e bashkisë Gjirokastër në guidat e udhëtimeve të tyre”.
Sipas tij, turizmi është kthyer në promotorin e ekonomisë lokale dhe ndër sektorët kryesorë për zhvillimin e bashkisë Gjirokastër.
“Ndikimi i turizmit është i dukshëm në sigurimin e të ardhurave ekonomike dhe çeljen e vendeve të reja të punës, në qytet dhe zonat rurale të Gjirokastrës. Tashmë jo vetëm në zonën historike dhe qytetin e Gjirokastrës, por edhe në fshatra është i konsiderueshëm numri i bizneseve turistike, njësive të shërbimit dhe akomodimit për vizitorët vendas dhe të huaj”, nënvizoi Golemi.
Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “turizmi i qëndrueshëm ka impakt të drejtpërdrejtë në tërheqjen e investimeve dhe projekteve publike si dhe për zhvillimin e sektorëve prioritarë të ekonomisë lokale, bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit, etj. Të ardhurat e përfituara nga turizmi janë të prekshme për banorët, të cilët kanë rritur interesimin për të investuar në çeljen e njësive të turizmit familjar, lokaleve, restoranteve të shërbimit, bujtinave karakteristike, etj.”.
Sipas tij, bizneset e reja mundësojnë çeljen e vendeve të punës jo vetëm në sektorin e turizmit, por edhe në degët e tjera të ekonomisë lokale.
Golemi vuri në dukje se institucionet vendore në bashkëpunim me biznesin lokal po punojnë për garantimin e standardeve të duhura në sektorin e turizmit dhe për një mirëpritje sa më cilësore të vizitorëve.
“Strukturat e bashkisë Gjirokastër, si pjesë e planit të masave për mbarëvajtjen cilësore të turizmit, priroritet kanë sigurimin e kushteve në qytet dhe fshatra për një imazh sa më pozitiv për vizitorët”, theksoi Golemi.
Në këtë drejtim, tha Golemi, vëmendje po i kushtojmë pasjes së një mjedisi të pastër dhe mirëmenaxhimit të mbetjeve urbane.
“Në mënyrë periodike kryhet pastrimi dhe sistemimi i mjediseve publike, shesheve, rrugëve të brendshme në qytet dhe fshatra për largimin e mbetjeve urbane. Prioritet është bashkëpunimit me banorët për depozitimin e mbetjeve urbane në vendet e përcaktuara ndërsa në raste të veçanta kemi ndëshkuar ligjërisht ndotësit e mjedisit”, tha ai.
Flukset turistike në qytetin e Gjirokastrës kanë gjallëruar edhe artizanatin dhe prodhuesit e vegjël vendas që tashmë gjejnë treg të bollshëm për punimet e tyre.
Kështu, traditat e pasura, artizanati, zejtaria, prodhimet vendase janë ndër elementët kryesorë për nxitjen e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër. Por nga ana tjetër, këto aktivitete nxjerrin më shumë të ardhura me rritjen e turizmit.
Sipas Golemit, vazhdimisht bashkia ka mbështetur artizanët lokale dhe prodhuesit vendas nëpërmjet lehtësive fiskale dhe zerimit të tarifave të veçanta.
Po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e identitetit të qytetit si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s që përbën tërheqje për vizitorët. Të dhënat tregojnë se restaurimi, rijetësimi, promovimi i vazhdueshëm i këtyre vlerave ka ndikuar në tërheqjen e turistëve dhe zhvillimin cilësor të sektorit.
Kryebashkiaku Golemi vuri në dukje se përpjekjet janë përqendruar në ruajtjen e balancës mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së trashëgimisë.
“Mbështetur në legjislacionin përkatës, por edhe standardet e UNESCO-s ndërtimet e reja kryesisht në zonën historike kryhen duke respektuar profilin arkitektonik të qytetit të Gjirokastrës. Bashkia Gjirokastër e cilëson një ndër detyrimet parësore të punës së saj përkujdesjen për vlerat arkitektonike dhe ndërtimore të qytetit të gurtë si dhe resurseve të trashëgimisë kulturore në fshatra”, u shpreh ai.
Ndër projektet kryesore në qytet përmenden restaurimi i rrugëve të kalldrëmta në lagjet historike si “Dunavat”, “Palorto”, “Meçite”, “Pazari i vjetër”, etj.
Ndërhyrjet e kryera konsistojnë në restaurimin e rrugëve karakteristike me kalldrëm, krijimin e hapësirave për parkimin e mjeteve, instalimin e pikave të ndriçimit publik, krijimin e mjediseve të gjelbra.
1 nga 12/k.s/j.p/r.e/