Fokus/Rumania, Bullgaria e Greqia, takime të shpeshta për të përvijuar një aleancë...jo vetëm ekonomike
Ministrat rumunë, bullgarë e grekë të punëve të jashtme u zotuan të bashkërendojnë politikën e zgjerimit të BE-së të vendeve të tyre në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimin rajonal e ndërkufitar dhe sigurinë e kufijve të jashtëm të BE-së në një përpjekje për të përkrahur rritjen e përbashkët e stabilitetin rajonal me një theks në luftën kundër emigracionit të paligjshëm e kriminalitetit ndërkufitar. Ministrat u takuan në Sofje këtë muaj në takimin e tetë tre-palësh të ministrave të jashtëm. Takimi që ka për qëllim të ushqejë bashkëpunimin e përhershëm dhe bashkërendimin mes të tre vendeve në çështjet e tyre evropiane e rajonale, është gjithashtu pjesë e misionit për të hequr një paragjykim të përçarjes së ndjerë gjerësisht në Ballkan, thanë zyrtarët për SETimes. "Formati tre-palësh u zhvillua e tani përqendrohet si në bashkërendimin e qëndrimeve të të tre shteteve mbi temat kryesore në rendin evropian të ditës, ashtu edhe në nxitjen e BE-së dhe të NATO-s, ku të tre vendet kanë një përvojë të rëndësishme e ndajnë interesa të përbashkëta: Ballkani Perëndimor e rajoni i Detit të Zi," tha ministrja e jashtme rumune. Nisur së pari më 1995, takimi trepalësh u përqendrua në tre tema kryesore: politika, dialogët e zhvillimeve rajonale e bashkëpunimi ekonomik. Gjatë takimit, Nikolaj Mlladenov i Bullgarisë, Tajtus Korlatean i Rumanisë e Dimitris Avramopulos i Greqisë, ranë dakort që të forcojnë bashkëpunimin ekonomik, duke u përqendruar në projektet e energjisë e të infrastrukturës, mundësive brenda strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit e nisma të tjera të BE-së. Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet shprehën mbështetje për një pranim të përshpejtuar në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me kusht që kriteret e pranimit të jenë përmbushur plotësisht. Ata gjithashtu përtërinë mbështetjen e tyre për të ruajtur regjimin e liberalizimit të vizave për rajonin. "Qëllimi është të hiqen të gjitha pikat e zeza në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të mos ketë mosfunksionime në rajon," tha Nikulae Mirkoviçi, një ligjvënës që përfaqëson pakicën bullgare në parlamentin rumun. Diplomatët përshëndetën si historike arritjet e takimit të Sofjes. "Takimi tre-palësh tregon gatishmërinë e të tre vendeve për të paraqitur një shtyllë stabiliteti në këtë rajon historikisht të ngatërruar të Evropës," tha Georgios Pukamisas, ambasadori grek në Rumani. "Ky shans historik është me të vërtetë i rëndësishëm, që të tre vendet kanë një qëllim të përbashkët mbi Ballkanin Perëndimor, rajonin e Detit të Zi e, me zhvillime të tjera në kohë në BE, për shembull diskutimi që parashikon kuadrot financiare për 2014-2020. Shpresoj se takime të tilla me një frymë të vendosmërisë e solidaritetit i sjellin të tre vendet edhe më pranë njëri-tjetrit," shtoi ai. Mirkoviçi theksoi se "një zë të përbashkët në tema të ndryshme të rëndësishme në Sofje e kjo është më e rëndësishme pasi shtron rrugën për presidencën me rotacion të BE-së të të tre vendeve". Greqia, Bullgaria e Rumania janë caktuar të marrin përsipër presidencën e këshillit të BE-së përkatësisht më 2014, 2018 e 2019. "Niveli dhe intensiteti i diskutimeve sugjeron se një metodë rajonale mund të zgjerohet në të ardhmen nga e cila do të kenë vetëm përfitim vendet e Evropës Juglindore e BE," tha Mirkoviçi. Takimi tre-palësh u bashkohet strukturave të tjera të bashkëpunimit si Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore e Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal që synojnë të realizojnë shansin e BE-së të të gjithë vendeve në këto organizata. "Kjo është se pse Rumania do të nxisë, gjatë presidencës [të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore] në qershor 2013-qershor 2014, një metodë të orientuar nga e ardhmja e do të drejtohet ndaj arritjes së rezultateve të dukshme në përfitim si të rajonit, ashtu edhe të çdo vendi anëtar," tha ministria e punëve të jashtme rumune në një deklaratë.