E Diel, 1 Nëntor 2026

Parada ushtarake, dëshmi e krenarisë kombëtare dhe garanci për të ardhmen

29-11-2012 / Gazeta 55

Në sheshin “Skënderbej” për 100-vjetorin e Pavarësisë parakalojnë flamurtarët e vendeve të NATO-s

Parada ushtarake e Forcave të Armatosura në sheshin “Skënderbej” me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë  shënoi një ngjarje të rrallë dhe mjaft solemne. 32 kuadrate ushtarake, 1800 efektiva dhe qindra mjete të transportit strategjik parakaluan me hap të lirë në qendër të kryeqytetit, duke treguar forcën e disiplinën e ushtrisë shqiptare mes duartrokitjesh të shumta të qindra mijëra qytetarë.
Në këtë paradë morën pjesë krerë të shtetit shqiptar, të shtetit kosovar, diplomatëve të huaj, miqve të ftuar nga anembanë botës për këtë rast të shënuar.
Në fjalën e tij tejet plot emocione, Kryeministri Sali Berisha falënderoi në radhë të parë miqtë e pranishëm në festën tonë dhe ka uruar për një miqësi dhe bashkëpunim me ta për shumë e shumë vite e shekuj të tjerë.
Më pas, kryeministri Berisha theksoi se në këtë jubile janë nderuar të gjithë prijësit e Pavarësisë dhe themeluesit e shtetit shqiptar.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë Sali Berisha vlerësoi se 28 nëntori është një ditë e bekuar dhe para së gjithash dita e qytetarit dhe qytetares shqiptare, sepse sipas tij, “ju këto 100 vite kaluat kohëra vuajtjesh, sakrificash mbinjerëzore, përjetuat luftëra, mjerime, pushtime, diktaturë çnjerëzore e megjithatë ju çdo orë, çdo ditë, çdo javë e çdo vit të shekullit që lamë pas ju me mundin, djersën, gjakun tuaj, krijuat dhe ndërtuat me duart, thonjtë, muskujt gjeninë krijuese tuajën, diga, hidrocentrale, rrugë, pallate, banesa, fabrika, uzina, ferma, ullishta, vreshta dhe bëtë që vendi juaj, i cili vetëm 20 vite më parë renditej vendi i tretë më i varfër në botë, të ngrihet si Feniksi mbi mjerimin e tij dhe të rrisë të ardhurat për frymë, jo dhjetë apo njëzet, por tridhjetë herë në njëzet vitet që shkuan. Falë jush, qytetarë e qytetare të këtij vendi, Shqipëria që 20 vjet më parë ishte e rrethuar me tela me gjemba, si vendi më i izoluar i planetit, është sot vend anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, është vend që ecën drejt Bashkimit Evropian”.
Ndërkaq kreu i qeverisë Berisha vuri në dukje se Shqipëria në këtë 100 vjetor nuk është ende një vend i zhvilluar, por në një hark kohor më të shkurtër se të çdo qytetari tjetër, ka arritur treguesit më themelor të jetës, shëndetit, shkollimit, shërbimit shëndetësor, mjedisit, të disa prej vendeve të zhvilluara. 
Në këtë eveniment foli edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në emër të qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj ka sjell përshëndetje të veçanta për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe u ka uruar gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë.
Më pas, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në cilësinë e drejtuesit të paradës ka dhënë komandën për fillimin e paradës ushtarake. Nën ritmin e marsheve të ekzekutuara nga Orkestra Frymore e FA ka nisur parada ushtarake me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Përballë tribunës së festimeve të këtij jubileu të madh, janë rreshtuar përfaqësuesit e FA të Shqipërisë, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Të parët që parakalojnë para tribunës janë veteranët e Luftës Antifashiste Çlirimtare, brezi i nderuar që sublimoi jetën në Luftën Antifashiste, duke e rreshtuar vendin tonë në anën e koalicionit të fitimtarëve. Pas tyre me flamuj ne duar parakalojnë përfaqësues të vendeve anëtare te NATO-s. Parada e Forcave tona të Armatosura demonstroi një gatishmëri dhe nivel të lartë stërvitor, aftësi profesionale për të qenë përherë të gatshëm në përmbushjen e misionit kushtetues. Ishte kjo një parade dinjitoze, një performancë e shkëlqyer e FA Shqiptare me rastin e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ishte kjo e sotmja e cila është padyshim dëshmi  e dinjitetit dhe e krenarisë sonë kombëtare, e respektit për brezat që sakrifikuan e derdhën gjak, për luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë. Kjo paradë është njëkohësish edhe një mesazh i besimit, e garancisë së sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›