E Diel, 1 Nëntor 2026

Foltorja e PD, Berisha: Kostoja e jetesës është rritur me 60%

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi këtë të hënë foltoren e radhës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, një platformë komunikimi e qytetarëve dhe deputetëve të opozitës për të adresuar problematikat në vend.

Në foltoren e sotme ishte i pranishëm edhe kryetari Sali Berisha. Në fjalën e tij, Berisha tha se opozita në Shqipëri është opozita më e pamposhtur.

“Qëndron për të vërtetat e mëdha të kombit, të vërtetat e mëdha të shoqërisë. Qëndron për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.

Berisha theksoi se beteja e PD-së është betejë për shpëtimin kombit.

“Opozita është në këmbë sepse ajo ka një raport tjetër me të vërtetën dhe kjo e bën atë dhe i bën qytetarët shqiptarë njerëzit më dinjitozë të kombit”, tha Berisha.

Më tej Berisha duke iu drejtuar qytetarëve theksoi se kostoja e jetesës në Shqipëri është rritur me rreth 60% gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e kushteve të jetesës.

“60 për qind është rritur kostoja e jetesës në Shqipëri si në asnjë vend tjetër në 5 vitet e fundit. Si do jetojnë shqiptarët? E ka bërë Shqipërinë një vend të pajetueshëm. Por ne qëndrojmë. Ne jemi këtu të betuar, të pamposhtur në qëndresën tonë”, tha Berisha.

Berisha tha se opozita mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se vendi duhet të mbetet “në hapësirën perëndimore dhe evropiane”.

Sipas tij, Shqipëria ka një rëndësi të madhe gjeopolitike në rajon, por sipas tij, me qeverisjen aktuale nuk përmbushen kriteret e nevojshme për anëtarësim në BE.

“Ne mbështesim integrimin. Po pse? Se mund të thoni pse e mbështesni. Jo, gjeopolitika është forcë natyrale. Ne nuk duam kurrë që ky vend të përfundojë në hapësira të tjera. Ne duam që ky vend të mbetet përjetësisht në hapësirën perëndimore, në hapësirën evropiane. Ndaj dhe ne, duke iu përmbajtur të vërtetës, kemi deklaruar se përveç kriterit gjeopolitik, nuk plotëson asnjë kriter, por ne mbështesim integrimin e Shqipërisë”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›