VJENË – Policia regjistroi 500 përpjekje për sulme kibernetike ndaj Eurovision-it

VJENË, 18 maj /ATSH-DPA/ – Policia austriake regjistroi rreth 500 tentativa sulmesh kibernetike që kishin në shënjestër “Eurovision Song Contest”, njoftuan sot autoritetet.
Shefi i policisë federale të Austrisë, Michael Takacs, tha se përpjekjet për sabotim kibernetik u neutralizuan me sukses.
Sulmet synonin jo vetëm faqen zyrtare të “Eurovisionit”, por edhe sistemet e kontrollit të hyrjes në arenën ku zhvillohej eventi.
Sipas tij, autorët synonin të ndërprisnin, ngadalësonin ose çaktivizonin sistemet.
Takacs shtoi se nuk kishte ende informacione mbi përgjegjësit apo motivet e tyre.
Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, deklaroi se objektivi kryesor ishte garantimi i një eventi të sigurt dhe paqësor.
“Ia dolëm”, tha ai, duke theksuar se nuk pati incidente serioze gjatë transmetimeve live, aktiviteteve publike apo protestave të lidhura me festivalin.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Jorg Leichtfried, tha se autoritetet monitoruan nga afër kërcënimet e mundshme nga ekstremistët islamikë dhe grupet e dhunshme të lidhura me Iranin.
Rreth 3 500 efektivë policie austriake u angazhuan gjatë javës finale të konkursit në Vienna, me mbështetje edhe nga njësi speciale të rajonit bavarez të Gjermanisë.
Shërbimet e sigurisë monitoruan gjithashtu aktivitetin në rrjetet sociale, ku sipas Leichtfried ishte vërejtur një rritje e “polarizimit dhe radikalizimit”.
“Eurovision” u shoqërua nga disa protesta, shumica kundër pjesëmarrjes së Izraelit në festival.
Pak para finales së së shtunës, ku triumfoi Bulgaria, 14 aktivistë pro-palestinezë të maskuar u ndaluan nga policia pasi refuzuan të shpërndanin një protestë pa leje, ndonëse paqësore.
Në total, 16 persona u ndaluan në lidhje me Eurovisionin, përfshirë një person që tentoi të kapërcente barrierat e sigurisë rreth arenës së festivalit./ /Ad.Ab./ a.jor.