Fond i posaçëm për administrimin e ndërtimeve pa leje dhe pasurive të konfiskuara

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara pritet të administrohen sipas rregullave të reja, në kuadër të ndryshimeve ligjore të miratuara në Komisionin e Ligjeve, ndërsa parashikohet krijimi i një fondi të posaçëm për administrimin e ndërtimeve pa leje.
Ndryshimet përfshijnë edhe pasuritë e konfiskuara nga pushteti vendor, kryesisht ndërtimet pa leje, me synim përdorimin e tyre në funksion të komunitetit.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, shpjegoi se fondi i posaçëm për ndërtimet pa leje do të krijohet nga të ardhurat e administrimit të këtyre pasurive. Sipas saj, në zbatim të procedurave të reja, fillimisht do të trajtohen parablerjet dhe më pas pasuritë do të administrohen sipas përcaktimeve ligjore.
Xhaja tha se AAPSK ka aktualisht në proces administrimi pesë shoqëri ndërtimi, ndërsa po finalizohen procedurat për dorëzimin e pasurive. Ajo theksoi se agjencia ka krijuar përvojë në menaxhimin e shoqërive të ndërtimit edhe në rastet kur investitorët kanë braktisur aktivitetin.
“Ne kemi arritur eksperiencën e mjaftueshme për të menaxhuar shoqëritë e ndërtimit. Kemi pesë shoqëri ndërtimi që i kemi në proces administrimi dhe po finalizojmë procedurat e dorëzimit të pasurive”, deklaroi ajo.
Sipas Xhajës, vlera e pasurive të konfiskuara rreth tre vite më parë është rreth 15 milionë euro, ndërsa administrimi i tyre pritet të gjenerojë të ardhura.
Ndryshime parashikohen edhe për administrimin e kriptomonedhave. Xhaja bëri të ditur se do të merret në konsideratë modeli francez për administrimin e tyre, në përputhje me kuadrin ligjor që po përgatitet.
Një tjetër risi është që AAPSK të kryejë vetë procedurat e shitjes së pasurive, përveç qiradhënies, përmes ankandit publik. Agjencia do të marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për vlerësimin, administrimin dhe transferimin e të ardhurave nga shitja e pasurive.
Duke marrë fjalën gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, tha se qëllimi kryesor i projektligjit është miradministrimi dhe përdorimi sa më efikas ekonomik i pasurive të sekuestruara, duke garantuar ruajtjen e interesit publik.Sipas tij, projektligji parashikon ndryshime në dispozitat përkatëse, duke zgjeruar objektin e ligjit për pasuritë e sekuestruara dhe duke parashikuar krijimin e një fondi të dedikuar për administrimin e ndërtimeve pa leje.
Një tjetër risi, theksoi ai, lidhet me procedurat e shitjes së pasurive. Agjencia do të kryejë procedurat e shitjes në përputhje me legjislacionin për ankandet, duke marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për administrimin e procesit.
Projektligji parashikon gjithashtu përfshirjen e monedhave virtuale në kategorinë e pasurive që i nënshtrohen administrimit nga agjencia.
“Agjencia mban përgjegjësi për mirëmbajtjen, menaxhimin dhe përdorimin e përkohshëm të këtyre pasurive deri në përmbylljen përfundimtare të procesit”, deklaroi Qefalia.
/e.xh/j.p/