E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 105 nenet e paketës së re të Kodit Penal, ekspertizë e 19 magjistratëve nga Italia, Franca e Holanda

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se angazhimi i drejtpërdrejtë në hartimin e paketës së re të garancive në Kodin e Procedurës Penale, nën drejtimin, disiplinën dhe integritetin e domosdoshëm europian, ka qenë themelor për rezultatin e arritur.

“Mbështetja e çmuar e qeverisë së Italisë dhe Francës na hapi dyert e një ekspertize të klasit të parë, ndërsa kontributi i profesorëve dhe magjistratëve italianë, francezë dhe holandezë i ka dhënë paketës thellësinë krahasuese që një reformë e tillë kërkon”, tha Rama gjatë prezantimit të kësaj pakete.

Kreu i qeverisë i falenderoi të gjithë “jo vetëm për profesionalizmin e padiskutueshëm, por edhe për gatishmërinë mbresëlënëse për të ardhur në ndihmë”.

Ai theksoi se “kjo paketë nuk mund të ishte një produkt i yni sepse donte një teknikë juridike me precizion të lartë, pasi ndërhyn në pikën nevralgjike të ekuilibrit më delikat të një demokracie: nevojën e shoqërisë për t’u mbrojtur nga krimi përmes pushtetit gjyqësor dhe të drejtën e individit për t’u mbrojtur nga gabimi ose abuzimi i pushtetit gjyqësor me jetën e tij”.

Pikërisht, vijoi Kryeministri, për këtë arsye ne zgjodhëm që hartimin e saj t’ia besonim 19 akademikëve dhe magjistratëve nga Italia, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Këshillit të Europës, me mbështetjen aktive të dy ministrive, asaj të Drejtësisë italiane dhe të asaj të Drejtësisë franceze.

Sipas tij, sekretariati teknik shqiptar bëri vetëm koordinimin e gjithë kësaj pune shumë voluminoze.

“Të 100 e kusur nenet e kësaj pakete janë frute të qindra orëve punë dhe debateve nëpërmjet ekspertësh që, jo pa qëllim, vijnë nga tradita të ndryshme juridike, në vëzhgimin e rreptë të Këshillit të Europës, që ka certifikuar çdo hap, si dhe dokumentin përfundimtar që është përpara për t’u kthyer në një bazë të konsultimit publik”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se “nuk ka në ato 105 nene asnjë mballomë alla shqiptarçe dhe asnjë armë të eksportuar nga jashtë çdo zgjidhje është ballafaquar me Kushtetutën tonë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese me vendimet njehsuese të Gjykatës së Lartë me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe me të drejtën e BE-së”.

“Këshilli i Europës ka kaluar paketën në filtrin e konventës dhe standardeve europiane si një projekt që rrit transparencën e procesit penal dhe zgjeron realisht të drejtat e mbrojtjes. Kjo është për ne garancia më e mirë që po ndërmarrim një tjetër reformë modernizuese për sistemin e drejtësisë  dhe europianizuese për shtetin shqiptar ku procesi penal duhet të nis nga zanafilla e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë”, tha Rama.

/k.s/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›