Fonde për bujqësinë, ministri Salla në Komitetin e IPARD III: Gati masat e reja, fokus te kreditë e buta dhe kompensimi i TVSH-së

Ministria e Bujqësisë po përgatitet për lëvrimin e masave të reja mbështetëse në kuadër të programit IPARD III, ndërsa po punohet paralelisht për një paketë kombëtare që përfshin kredi me garanci sovrane dhe një mekanizëm të ri për TVSH-në.
Këto prioritete u shpalosën sot gjatë Takimit të III-të të Komitetit të Monitorimit për Programin IPARD III, i mbajtur në Tiranë nën drejtimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Në tryezë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga Komisioni Evropian, Delegacioni i BE-së dhe donatorë ndërkombëtarë, për të analizuar ecurinë e fondeve për zhvillimin rural.
Integrimi dhe masat e reja
Ministri Salla e lidhi këtë takim me momentin kyç të hapjes së negociatave për grup-kapitujt (më 17 nëntor), duke theksuar se bujqësia dhe siguria ushqimore janë tashmë nën “lupën” e standardeve evropiane. Salla bëri me dije se me mbështetjen e ekspertizës së huaj (TAIEX dhe FAO), po rriten kapacitetet menaxhuese për të vënë në zbatim masat e reja të programit, veçanërisht masën “LEADER”, që synon zhvillimin e komuniteteve rurale.
“Kjo platformë monitorimi është thelbësore jo vetëm për të parë progresin, por edhe për të forcuar mekanizmat e kontrollit,” theksoi ministri, duke nënkuptuar një vëmendje të shtuar ndaj transparencës së fondeve.
Likuiditet për fermerët
Përveç fondeve të BE-së, ministri u ndal te mbështetja direkte nga buxheti i shtetit. Ai prezantoi instrumentet financiarë që synojnë t’u japin frymëmarrje fermerëve si skema Kombëtare e Investimeve për modernizimin e fermave; kreditë e buta me garanci sovrane, për të lehtësuar aksesin në financim banker; kompensimi i TVSH-së, një mekanizëm i ri fiskal që pritet të përmirësojë likuiditetin e prodhuesve.
/rtsh.al/