E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton listën e materialeve dhe të pajisjeve sportive, që përjashtohen nga detyrimet doganore dhe TVSH-ja

Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjerojë ndjeshëm listën e pajisjeve dhe bazës materiale sportive që do të hyjnë në Shqipëri pa paguar detyrime doganore dhe TVSH. Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi disa shtesa në vendimin e vitit 2021, duke përfshirë për herë të parë disiplina që kanë njohur rritje të shpejtë popullaritetit vitet e fundit, si Padeli apo Artet Marciale Mikse (MMA).

Qëllimi i këtij vendimi është ulja e kostove për federatat, klubet dhe investitorët privatë, duke synuar modernizimin e infrastrukturës sportive në vend.

Risia më e madhe e këtij vendimi është njohja dhe mbështetja për sportet e reja. Për Padelin, sportin që po përhapet me shpejtësi në kryeqytet, qeveria ka hequr taksat për gjithçka: nga raketat dhe topat, te ndërtimi i fushave modulare, xhamat e sigurisë, shtyllat dhe sistemet e ndriçimit. Gjithashtu, për organizatat e Arteve Marciale Mikse (MMA) dhe boksit, lista e përjashtimit nga taksat është zgjeruar me: kafaze oktagonalë për ndeshje, ringje boksi, doreza, mbrojtëse dhëmbësh/gjunjësh dhe thasë goditjeje.

Vendimi i ri sjell sportin shqiptar më pranë teknologjisë. Tashmë, klubet e futbollit mund të importojnë pa taksa jelekët GPS për monitorimin e performancës së lojtarëve, një standard ndërkombëtar ky për stërvitjen. Për herë të parë, në listë futen edhe robotët e dedikuar për mësimin e shahut, si dhe programet kompjuterike (CD/Softëare) për këtë sport mendjeje.

Për atletikën dhe lojërat me dorë shtohen pajisje matëse si radarë shpejtësie për topat, kronometra elektronikë me sensorë dhe matës lazer për distanca.

Mbështetje për turizmin malor dhe tenisin

Në prag të sezonit dimëror, vendimi favorizon edhe sportet e skive. Pajisjet për ski me patina (roller ski), ski në bar dhe veshjet e snoëboard-it janë shtuar në listën e përjashtimeve. Edhe tenisi përfiton lehtësi të mëdha, ku përfshihen për herë të parë rezinat dhe akriliku për shtrimin/lyerjen e fushave, makinetat për tendosjen e rrjetave dhe pajisjet për tharjen e fushave pas shiut.

Vendimi prek edhe sportin masiv shkollor apo amator, duke hequr taksat për uniforma bazë si polo, jelekë identifikues, raketa ping-pongu dhe rrjeta volejbolli. Gjithashtu, janë përfshirë pajisje specifike për triathlonin (biçikleta profesionale, kostume neopren) dhe sportin e harkut.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit së bashku me Doganat për zbatimin e tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›