E Martë, 3 Nëntor 2026

Fondet e IPARD-it, grupi parlamentar i PD-së kërkesë për debat

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me gjetjet e Zyrës së Bashkimit Evropian (OLAF) dhe masat që duhet të marrë Kuvendi i Shqipërisë që të sigurohen mekanizmat e nevojshme që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale dhe që sjellin përfitimin e fondeve nga programi IPARD nga fermerët shqiptarë.

“Kuvendi i Shqipërisë, duhet të diskutojë, analizojë dhe gjejë mekanizmat e nevojshme që skema të tilla abuzuese, që passjellin bllokimin e fondeve të Bashkimit Europian, të mos përsëriten në të ardhmen”, shprehet Bardhi në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit.

Për këtë qëllim, në emër të grupit të PD-së, Bardhi ka propozuar që pas zhvillimit të debatit të miratohet një Rezolutë që parashikon krijimin e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili pasi ka analizuar mangësitë, propozon masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë.

“Është e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një Rezolutë, ku dënon ashpër abuzimin me fondet e taksapaguesve europian, mban përgjegjëse administrativisht institucionet përkatëse të ekzekutivit, apelon institucionet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë për të vënë përpara përgjegjësisë penale cilido që ka shkelur ligjin, si dhe merr anagzhimin për të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që të shmangen situate të kësaj natyre në të ardhmen dhe që mbrojnë interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale, përmes ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili pasi ka analizuar mangësitë, propozon masat konkrete që janë të nevojshme që institucionet përgjegjëse të Bashkimit Europian të rekomandojnë zhbllokimin e fondeve për Shqipërinë”, thuhet në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›