Fondi Social 2026, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri: Të mos lëmë asnjë fëmijë pas

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, theksoi rëndësinë e rolit të pushtetit vendor në promovimin e mbrojtjes sociale dhe luftën kundër përjashtimit social, gjatë eventit “Fondi Social 2026 – Garanci për Qëndrueshmërinë e Shërbimeve për Mirëqenien e Qytetarëve”.
Në këtë aktivitet u prezantuan 14 shërbime të reja sociale në mbështetje të fëmijëve dhe nënave në nevojë, fëmijëve dhe të rriturve me aftësi ndryshe, të moshuarve, grave dhe vajzave viktima të dhunës, si dhe fëmijëve pa kujdes prindëror.
Sahin nënvizoi se strategjia 2026–2030 fokusohet në kujdesin ndaj individëve përmes qendrave të garancisë rinore, pjesë e programeve të UNICEF-it. Ai theksoi se organizata vijon të mbështesë bashkitë përmes sistemeve inovative dhe financimeve nga Fondi Social, duke synuar garantimin e shërbimeve cilësore për fëmijët dhe familjet e tyre.
“Kemi një strategji 2026-2030, që ka të bëj me kujdesin ndaj individëve që ë bën qendra e garancisë rinore të programit tonë. UNICEF është në mbështetje të bashkive dhe në shërbim të fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre me sisteme inovatore me financime dhe përmes Fondit Social. Shqipëria është pararojë në garancinë për fëmijët, që nga Turqia dhe në mbarë rajonin janë të interesuar për të mos lënë asnjë fëmijë pas dhe të ofrojmë shërbime për fëmijët dhe për familjet e tyre”, u shpreh përfaqësuesi i UNICEF.
Ai bëri të ditur se javën e kaluar është zhvilluar një takim me përfaqësues nga Italia dhe vende të tjera evropiane, në kuadër të përpjekjeve që Shqipëria po bën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, përmbushja e nevojave të fëmijëve dhe familjeve duhet të mbetet prioritet, duke pasur parasysh kërkesat në rritje për shërbime sociale.
“Javës që kaloi kishim një takim me pjesëmarrës nga Italia dhe nga vende të tjera sepse këto janë hapa që duhet ti ndërmarrim ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugëtimin për anëtarësimin në BE. Plotësimi i nevojave të fëmijëve dhe familjeve të tyre duhen mbajtur në konsideratë duke qenë se dhe kërkesat janë të shumta. Po përgatisim një Shqipëri e cila është më ripërtëritëse dhe që mbron dhe promovon mirëqenien e çdo fëmije”, u shpreh ai.
/rtsh.al/