E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi i Ekselencës, Berisha: Nuk do të ketë kufizime

Nuk do të ketë kufizime në numër për përfituesit e Fondit të Ekselencës”. Kështu ka deklaruar kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve për 67 studentët më të mirë në nivele të ndryshme akademike në disa prej universiteteve prestigjioze në botë. Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë çdo gjë për të mbështetur krijimin e një elite, duke u shprehur se një Shqipëri e zhvilluar është e bazuar vetëm tek dija. “Brenda vitit 2013, përfituesit e këtij fondi do të kapin shifrën 300. Ky është një hap i mirë përpara, por unë ju bëj thirrje juve të gjejmë të gjitha rrugët dhe mekanizmat për ta shumëfishuar këtë kontingjent dhe unë ju garantoj juve se i vetmi fond që është pa limit, është ky fond sa të jetë kjo qeveri”, - tha Berisha. Shefi i qeverisë tha se një arritje e madhe është edhe raporti i numrit të studentëve me numrin e popullsisë, që këtë vit shkon në 49 studentë për 1 mijë banorë. Ndërsa ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj bëri të ditur se për vitin 2012, buxheti i miratuar për Fondin e Ekselencës mundëson mbështetjen e rreth 50 kandidatëve të tjerë. “Kjo bën të mundur që në vitin 2012, me Fondin e Ekselencës të mbështeten rreth 220 kandidatë, çka përkthehet në rreth 200 profesorë të rinj me kualifikime ndërkombëtare që i shtohen sistemit të arsimit të lartë brenda 10-15 viteve që vijnë”, - u shpreh Tafaj. Kreu i Arsimit ka bërë thirrje të shfrytëzohen edhe programet internacionale, në mënyrë të veçantë ato të BE-së (Tempus, FP7 Erasmus, etj.) pasi sot ekzistojnë të gjitha mundësitë që çdo asistent i universiteteve tona të kryejë një pjesë të studimeve jashtë vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›