Hiqen nga puna 70 punonjës të Shërbimit Funeral
Panariti: Bashkia nuk mund të paguajë dy persona për të njëjtën punë. Punën e tyre do ta bëjnë punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit
Mbi 70 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral, që prej vitesh punojnë për mirëmbajtjen e varrezave në Sharrë dhe Tufinë, janë pushuar nga puna. Ata kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sqarime mbi këtë vendim për pushim nga puna. Punonjësit thonë se u është dhënë njoftimi për largimin nga puna, por ata kanë kërkuar sqarim për këtë çështje. Ata shprehen se janë njoftuar në datën 23 nëntor 2011 me shkrim se ndërmarrja do të ristrukturohet dhe punonjësit do të transferohen në Ndërmarrjen Nr.1 të Bashkisë, që përfshin edhe pastrimin e qytetit. Por, kur janë paraqitur dje në detyrë, punonjësit pretendojnë se u është komunikuar largimi nga puna.
Në këto kushte, punonjësit protestojnë kundër vendimit për pushim dhe kërkojnë një zgjidhje nga Bashkia. Punonjësit shprehen se në bazën e vendimit të Këshillit Bashkiak, ata duhet t’i bashkëngjiteshin Ndërmarrjes Nr.1 të Gjelbërimit. Punonjësit e shkarkuar janë ankimuar edhe pranë zyrës së Avokatit të Popullit, ndërsa të enjten paradite kanë lajmëruar një tjetër protestë. Por nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti tha se punën e tyre do ta bëjnë punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit. “Bashkia nuk mund të paguajë dy persona për të njëjtën punë. Funksionet që kryheshin deri tani janë transferuar dhe janë pjesë e funksioneve të Ndërmarrjes Numër 1 të kryeqytetit. Për rrjedhojë kemi edhe këto ndryshime të strukturës së personelit, të cilat janë plotësisht të justifikuara, sepse shkurtojnë shpenzime të pajustifikuara që shkojnë për paga, që nuk i përgjigjen funksioneve specifike të punës që duhet kryer”, - tha Panariti. Nënkryetari i Bashkisë u shpreh se për këtë vit, një pjesë e madhe e fondeve do të shkojnë për investime në objekte.