Fondi i Mbështetjes së Ukrainës- Gjermania ofron 100 milionë euro për sektorin e energjisë

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka bërë të ditur se Gjermania do të ofrojë 100 milionë euro shtesë për Fondin e Mbështetjes së Energjisë së Ukrainës, për të ndihmuar në riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga sulmet ruse.
Kjo mbështetje e re vjen në një moment kur Kievi po punon për të stabilizuar sistemin energjetik nën presion të vazhdueshëm dhe Rusia po synon sërish rrjetin elektrik të Ukrainës ndërsa temperaturat po ulen, duke përsëritur modelin e sulmeve dimërore të paravendosura në vitet e mëparshme.
Sulmet e rregullta me dronë dhe raketa po godasin termocentrale, nënstacione dhe madje ekipe riparimi, duke detyruar Ukrainën të mbështetet më shumë në ndihmën e huaj për të mbajtur në funksionim energjinë elektrike dhe ngrohjen.
Financimi vjen përmes bankës gjermane të zhvillimit KfË dhe e çon kontributin total të Gjermanisë në fond në 550 milionë euro deri në fund të vitit 2025, duke e bërë atë donatorin më të madh. Zëvendësministri i Energjisë, Roman Andarak, tha se kjo mbështetje është jetike për mbajtjen në funksionim të sistemit energjetik të Ukrainës mes sulmeve të vazhdueshme.
Ai theksoi se fondet do të lejojnë kompanitë energjetike të blejnë shpejt pajisje të nevojshme për të rikthyer në punë impiantet e dëmtuara, duke siguruar njëkohësisht transparencën si prioritet në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katharina Reiche, nënvizoi se infrastruktura energjetike është kthyer në një front të vërtetë të konfliktit.
Ajo tha se kontributi i ri tregon angazhimin e Gjermanisë për të ndihmuar Ukrainën të ruajë energjinë elektrike dhe ngrohjen për civilët.
“Këto fonde janë në shtesë ndaj 60 milionë eurove të shpallur më herët këtë vit. Rusia po sulmon në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme infrastrukturën energjetike të Ukrainës për ta kthyer dimrin në një armë tjetër. Ne nuk do t’i lëmë vetëm popullin ukrainas”, shtoi ajo.
/rtsh.al/