Putin: Rusia nuk pajtohet me disa pika të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moska nuk është dakord me disa pika të planit të SHBA‑së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një takimi pesëorësh në Kremlin me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Putin tha për India Today se disa pika mund të diskutohen, por disa të tjera janë të papranueshme për Rusinë, pa specifikuar cilat janë ato.
Një nga kërkesat kryesore të tij mbetet tërheqja e trupave ukrainase nga rajoni i Donbasit, përfshirë zonat që aktualisht kontrollohen nga Kievi. Sipas Moskës, forcat ruse kontrollojnë rreth 85% të këtij territori. Ndërkohë, këshilltari i lartë i Kremlinit, Yuri Ushakov, u shpreh se takimi nuk solli kompromis dhe se pozicioni rus është forcuar nga zhvillimet e fundit në fushëbetejë.
Nga ana tjetër, Ukraina ka reaguar ashpër. Ministri i Jashtëm ukrainas e akuzoi Putinin se po “humb kohën e botës”, ndërsa ambasadorja e Ukrainës në SHBA theksoi se vendi i saj nuk duhet të presë premtime nga Moska. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përsëritur se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që përfshin dorëzimin e territorit dhe se çdo negociatë duhet të shoqërohet me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar ndaj Rusisë.
SHBA dhe Ukraina kanë hartuar një “kornizë të përditësuar të paqes”, megjithëse detajet nuk janë bërë publike. Ndërkohë, disa liderë evropianë kanë shprehur shqetësimin se Uashingtoni mund të bëjë lëshime territoriale në kurriz të Ukrainës, sipas një dokumenti të publikuar nga Der Spiegel. Presidenca franceze ka mohuar se Emmanuel Macron është shprehur me termat e cituar në dokument.
Lufta në Ukrainë vijon prej shkurtit 2022 dhe Rusia kontrollon aktualisht rreth 20% të territorit ukrainas. Në javët e fundit, trupat ruse kanë avancuar ngadalë në juglindje, pavarësisht raportimeve për humbje të rënda në terren./ BBC
/rtsh.al/