Forcat speciale polake testojnë taktikat ukrainase të luftës me dronë në një stërvitje të re të NATO-s në Gjermani

Në një terren alpin të përfshirë nga shiu dhe nata pa hënë, një njësi e forcave speciale të Polonisë ka nisur një mision të fshehtë simulimi në territorin gjerman. Ky operacion është pjesë e një stërvitjeje e cila ka për qëllim të përsërisë sfidat me të cilat përballen trupat ukrainase në konfliktin e tyre kundër Rusisë.
E projektuar fillimisht nga “Beretat e Gjelbra” të Ushtrisë Amerikane, kjo stërvitje shënon herën e parë që një aleat i NATO-s si Polonia merr pjesë në këtë lloj simulimi. Ajo vjen në një kohë kur tensionet midis Moskës dhe aleancës perëndimore mbeten të larta.
Skenari i stërvitjes, infiltrimi dhe sulmi me dronë
Skenari i ndërtuar për forcat speciale polake përfshin një sërë sfidash taktike.
Depërtimi i vijës së frontit, ku trupat polake duhet të kalojnë tinëzisht përmes një njësie këmbësorie ajrore të Ushtrisë Amerikane, e cila luan rolin e forcës armike në bazën e Hohenfelsit.
Marshimi përmes fshatit gjerman, pas kalimit të vijës së parë, njësia duhet të përshkojë rreth 100 kilometra territor civil – duke kaluar përmes fshatrave, zonave të banuara dhe kamerave vëzhguese – për të arritur në qytetin e Grafenwoehr, ku synojnë të goditin një objektiv të simuluar me dronë.
Testi i fshehtësisë ndaj popullsisë, ku prania e civilëve gjermanë shërben si një provë reale se sa mirë mund të integrohen ushtarët pa rënë në sy. Çdo raportim i personave të dyshimtë në polici përdoret nga ushtria amerikane për të ndjekur gjurmët e tyre.
Presioni nga ajri dhe toka ku përveç popullsisë dhe kamerave, SHBA-të përdorin dhjetëra dronë dhe njësi të policisë ushtarake me qen për të gjurmuar dhe kapur forcat polake. Nëse pikasen, stërvitja parashikon që ushtarët mund të “kapen ose vriten”.
Mësimet nga Ukraina dhe reagimet ndërkombëtare
Zyrtarët ushtarakë amerikanë theksojnë se stërvitja mbështetet të tërësisht te mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë, ku dronët dhe taktikat e fshehjes pas vijave të armikut janë bërë vendimtare. Interesi nga vendet e NATO-s pritet të rritet, ndërsa zyrtarët parashikojnë që shumica e 32 vendeve anëtare do të kërkojnë të dërgojnë trupat e tyre për të provuar këtë skenar në të ardhmen.
Kjo nismë vjen gjithashtu në një kohë kur Evropa po përballet gjithnjë e më shumë me incidente të dyshimta sigurie dhe ndërhyrje misterioze me dronë pranë bazave ushtarake dhe aeroporteve kyçe, duke rritur nevojën e përgatitjes së përbashkët të aleatëve për skenarë të luftës hibride dhe moderne.
/rtsh.al/