E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ford mbyll fabrikat ne Australi

Gjigandi amerikan i automjeteve “Ford Motor” do të mbyllë të gjitha fabrikat e tij në Australi brenda tetorit 2016, pas më shumë se 85 vitesh aktivitet në këtë vend.

Rreth 1.200 punëtorë pritet të humbasin vendin e tyre të punës në dy fabrika në shtetin e Viktorias. “Ford” deklaroi se operacionet në Australi kishin shkaktuar humbje prej 600 milionë dollarësh në pesë vitet e fundit. Gjithashtu, fuqia e dollarit australian e ka bërë prodhimin e automjeteve më të shtrenjtë, ndërkohë që shitjet kanë qenë nën presion. “Kostot këtu janë dyfishi i prodhimit në Evropë dhe pothuajse katërfishi në Azi. Ky biznes thjesht nuk funksionon”, ka deklaruar shefi ekzekutiv i “Ford Australia”, Bob Graziano. Ai ka shtuar se prodhimi i makinave në Australi nuk është i përshtatshëm për “Ford”, edhe pse vendi do të vijojë të importojë makina të markës. Ndërkohë, Leigh Diehm nga Sindikata e Punëtorëve Australianë, ka deklaruar se punonjësit e dy impianteve ishin “të shkatërruar nga lajmi”. “Ne do të bisedojmë me drejtuesit e “Ford” për të gjetur një zgjidhje dhe për të informuar punonjësit se çfarë do të bëhet në muajt dhe vitet e ardhshme”, ka dekalruar Diehm. Nga ana e tij, zoti Graziano ka thënë se “Ford” i kishte shqyrtuar të gjitha mundësitë e tjera para se të bënte këtë njoftim “të vështirë”. Dollari australian është rritur me 29 për qind kundrejt jenit japonez në vitet e fundit, duke i bërë produktet australiane më pak konkurruese. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›